Një ngjarje tragjike ndodhi të dielën në mbrëmje jo fort larg qendrës në Prishtinë, ku u shënua një incident i rëndë që përfundoi me fatalitet. Për motive akoma të panjohura, një person dyshohet se ther për vdekje me thikë vëllain e tij, te banesa e tyre në rrugën “Tirana”, raporton Gazeta Sinjali.

Motivet e rastit akoma nuk dihen, teksa tashmë ka nisur hetimi nga Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit.

Kjo ngjarje ka tronditur familjen Miftari, ku ndodhi krimi i rëndë dhe humbi jetën Auroni, ndërsa i dyshuar është vëllai i tij, Genti.

Siç raportoi mbrëmë Sinjali, Auron Miftari nuk arriti t’iu mbijetojë plagëve dhe vdekjen e tij e konfirmoi ekipi mjekësor i Emergjencës.

Ndërsa Policia ndërmori veprimet e nevojshme dhe i dyshuari fillimisht u dërgua në QKUK për trajtim, ku po ruhet nga një njësi policore.

Genti po dyshohet se ia mori jetën vëllait të tij, Auronit – duke e therur disa herë me thikë, te kompleksi banesor ku ata jetonin.

Lajmin e konfirmoi edhe Policia e Kosovës, ku thuhet se hetimet janë duke u zhvilluar për të zbardhur motivin dhe rrethanat e tjera.

“Me datë 27.10.2024 në ora 20:30, Policia në Prishtinë, ka pranuar informatën lidhur me një mosmarrëveshje në Rr.Tirana në Prishtinë.

Sipas informacioneve fillestare qe kemi behet fjalë per nje mosmarrveshje mes ty personave, ku dyshohet se njeri ka goditur personin tjeter me nje mjet të mprehtë. Ekipa shendetsore ka konstatuar se viktima nuk ka shenja jete.

Policia është duke u marr me rastin dhe hetime janë duke u zhvilluar nga njesitet kompetente per te sqaruar motivin apo rrethanat tjera që kanë quar deri te ky rast i rëndë.”