Të dhënat e publikuara më 12 korrik 2024 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, një institucion nën menaxhimin e Kryeministrit të Kosovës, ka nxjerrë në pah të dhëna shqetësuese.
Zbrazja e Kosovës ka marrë hov të madh vetëm pas ardhjes në pushtet të kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo dëshmohet edhe me statistika zyrtare, shkruan Demokracia.com.
Në prillin e vitit 2024, Republika e Kosovës kishte rreth 2.1 milionë shtetas me të drejtë vote. Këta votues përfshijnë qytetarët mbi 18 vjeç që jetojnë në Kosovë, por edhe jashtë saj. Në atë kohë, nuk dihej sa nga këta shtetas me të drejtë vote jetonin në Kosovë e sa prej tyre jashtë saj, në shtete të ndryshme të botës.
Por, me të dhënat paraprake të regjistrimit të popullsisë të publikuara më 12 korrik 2024 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, tashmë kuptohet përafërsisht sa qytetarë/votues jetojnë brenda vendit dhe sa prej tyre jashtë Kosovës.
Demokracia.com ka mësuar ekskluzivisht nga burime brenda Agjencisë së Regjistrit Qendror Civil, ku përgatiten të dhënat për qytetarët mbi 18 vjeç që kanë të drejtë vote se numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në prillin e vitit 2024 ishte rreth 2.1 milionë votues. Në këtë listë të votuesve nuk përfshihen një numër i konsiderueshëm i qytetarëve nën moshën 18 vjeçare.
Po sipas këtyre burimeve, këto të dhëna i janë dërguar Komisionit Zgjedhor Qendror kur ato janë kërkuar gjatë organizimit të referendumit për shkarkimin e kryetarve shqiptarë të komunave veriore të Kosovës më 21 prill 2024.
Ndërkaq, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës pas regjistrimit të popullsisë i realizuar në prillin dhe majin e vitit 2024, numri i banorëve të të gjitha moshave dhe rezidentë në Kosovë është 1,586,659 banorë.
ZBRAZJA E KOSOVËS NËN QEVERINË KURTI – MË SHUMË SE 500 MIJË VOTUES/SHTETAS JETOJNË JASHTË VENDIT
Të dhënat të cilat i ka siguruar Demokracia.com tregojnë se numri i qytetarëve apo shtetasve votues që jetojnë jashtë vendit, por që janë pjesë e listës votuese është më i madhi në historinë e Republikës së Kosovës.
Asnjëherë nuk ka pasur numër kaq të madh të shtetasve/votuesve që jetojnë jashtë Kosovës. Ky numër i madh është shtuar pas ardhjes në pushtet të Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Demokracia.com ka analizuar të dhënat e listave votuesve të çertifikuara nga Komisioni Zgjedhor Qendror dhe ato i ka krahasuar me të dhënat e publikuara ndër vite nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Sipas të dhënave të ASK-së, numri i banorëve të të gjitha moshave (edhe atyre që nuk kanë arritur moshën e votimit) dhe rezidentë në Republikën e Kosovës, sipas regjistrimit të popullsisë është 1,586,659 banorë, kurse sipas të dhënave të ARC-së, numri i shtetasve apo votuesve mbi 18 vjeç në Kosovë dhe jashtë saj është rreth 2.1 milionë votues. Pra, diferenca është më shumë se 513 mijë shtetas apo votues.
PARA ARDHJES SË KURTIT NË PUSHTET, NUMRI I VOTUESVE DHE BANORËVE REZIDENTË ISHTE I PËRAFËRT
Para ardhjes në pushtet të kryeministrit Albin Kurti dhe Lëvizjes Vetëvendosje, dallimi në mes të banorëve rezidentë të të gjitha moshave (edhe atyre që nuk kanë arritur moshën e votimit) në Republikën e Kosovës ishte i përafërt me numrin e shtetasve/votuesve mbi 18 vjeç në Kosovë dhe jashtë saj.
Regjistrimi 2011 vs Zgjedhjet 2014
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, pra ku përfshihen banorët rezidentë të të gjitha moshave (edhe atyre që nuk kanë arritur moshën e votimit) dhe sipas vlerësimit të popullsisë për katër komunat veriore të Kosovës, numri i banorëve ishte 1,780,021 banorë, kurse sipas të dhënave të listës votuese të çertifikuar nga KQZ në zgjedhjet paralamentare 2014 numri i shtetasve apo votuesve mbi 18 vjeç në Kosovë dhe jashtë saj ishte 1,799,023 votues. Pra, diferenca ishte vetëm 19 mijë votues.
Vlerësimi i popullsisë 2021 vs Zgjedhjet 2021
Sipas vlerësimit të numrit të popullsisë të vitit 2021, pra ku përfshihen banorët rezidentë të të gjitha moshave (edhe atyre që nuk kanë arritur moshën e votimit) numri i banorëve në vitin 2021 në Kosovë ishte 1,773,971, kurse sipas të dhënave të listës votuese të çertifikuar nga KQZ në zgjedhjet paralamentare 2021, të cilat i fitoi Kurti dhe Vetëvendosje (50.02%), numri i shtetasve apo votuesve mbi 18 vjeç në Kosovë dhe jashtë saj ishte 1,851,927 votues. Pra, diferenca ishte vetëm 77,956 votues.
TALLJA E KURTIT DHE VARTËSVE TË TIJ ME ZBRAZJEN E KOSOVËS
Deri më tani, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Kurti nuk e ka trajtuar me seriozitet shqetësimin e madh të viteve të fundit për zbrazjen e Kosovës. Në të gjitha rastet, kryeministri Kurti dhe vartësit e tij janë tallur me lajmet dhe arsyet për të cilat qytetarët po braktisin Kosovën.