Policia, përmes raportit 24 orësh, ka dhënë detaje për sulmin ndaj kryetarit të komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Policia thotë se motivi i rastit ende nuk dihet.
Të dyshuarit janë në mbajtje derisa rasti po hetohet.
“SULM NDAJ PERSONIT ZYRTAR & LËNDIM I LEHTË TRUPOR- Pejë / 26.10.2024 – 08:40. Dy meshkuj kosovarë (njëri prej tyre kryetari i komunës së Pejës) derisa ishin duke ecur në rrugë janë sulmuar fizikisht nga dy të dyshuarit meshkuj kosovarë me ç ‘rast viktimat kanë pësuar lëndime trupore. Pas një pune hetimore dy të dyshuarit janë lokalizuar dhe arrestuar nga Policia. Motivi i rastit nuk dihet. Në konsultim me prokurorin është iniciuar rasti si dhe dy të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje. Rasti është nën hetime.”
Ndërsa, Dukagjin Kërveshi, avokat i Kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxherit, ka thënë se Muhaxheri ka deklaruar në Polici se beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare.
“Në cilësinë e avokatit të Kryetarit të Komunës së Pejës, z. Gazmend Muhaxheri, njoftoj opinionin se sot rreth orës 8:40 në qytetin e Pejës në vendin e njohur si “Qendra Zejrare” pasi i njejti kishte pirë kafe me një familjar të tij, në largim e sipër, kryetari Muhaxheri ishte sulmuar nga dy persona fillimisht të panjohur. Sulmi kishte qenë i befasishëm. Kryetari Muhaxheri tashmë ka dhenë deklaratën në polici dhe se i njejti beson se arsyeja e sulmit lidhet me punën e tij zyrtare. Gjendja e Kryetarit është stabile. Duke besuar në efikasitetin e oragneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës presim që sulmuesit të ndiqen penalisht dhe të marrin dënimin e merituar!”, ka shkruar dje Kërveshi.