Ministria e Mbrojtjes ka dhënë tender në vlerë 20 mijë euro për furnizim me pemë dhe perime për nevojat e ushtrisë së Kosovës. Me këto para do të blihen domate, karota, lakra, bizele, etj.

Çështja e ushqimit për ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës ende nuk është zgjidhur.

Ushtarët aktualisht janë duke u ushqyer në Mensën e Studentëve, por ky proces është i përkohshëm.

Mirëpo, deri sa buka dhe ushqimi po mungon, Ministria e Mbrojtjes ka vendosur që pemë dhe perime të ketë me bollëk, shkruan Demokracia.com.

Për t’i kryer këto furnizime, Ministria e Mbrojtjes e ka shpërblyer me kontratë kompaninë “Dauti Komerc”, për 20 mijë e 836 euro.

Ofertë për të njëjtin tender ka dorëzuar edhe kompania “Beni Dona Plast SH.P.K”, në vlerë prej 22 mijë e 730 euro.

Mirëpo, ajo është eliminuar nga gara, shkruan Demokracia.com.

“Me keqardhje ju njoftojmë se tenderi i paraqitur nga ana juaj nuk qe i suksesshëm, ngase tenderi juaj nuk qe tenderi me çmimin më të ulët në mesin e tenderëve që plotësonin kërkesat e dhëna në njoftimin e kontratës dhe në dosjen e tenderit. Ju informojmë se kontrata i është dhënë “Dauti Komerc SH.P.K, Gërlicë, Ferizaj, 810655524”, me çmim prej 20, 836.00 dhe në pajtim me afatet dhe kushtet e dosjes së tenderit”, është përgjigjja që i ka kthyer ministria kësaj kompanie.

Kjo kompani, “Beni Dona Plast SH.P.K” deri në fund të muajit të kaluar ka përgatitur ushqimin për FSK-në, kur edhe i kishte skaduar kontrata. Në tenderin që kishte shpallur ministria për shërbime ushqimore, tashmë të anuluar, kjo kompani ishte ankuar se nuk ishte ftuar për ofertim nga Ministria e Mbrojtjes.

Në dosjen e tenderit është treguar me saktësi se çfarë produktesh dhe sa është sasia e këtyre produkteve që do të blihen.

Ministria planifikon të furnizohet me 3 mijë kilogramë domate të freskëta, 450 kilogramë domate të zeza, 600 kilogramë karota të freskët, 6 mijë kilogramë lakra të freskëta, 900 kilogramë lakër të kuqe për sallatë, 180 kilogramë bizele të freskëta, 3 mijë e 200 kilogramë patate, 1 mijë e 100 kilogramë fasule, 3 mijë kilogramë qepë, 600 kilogramë qepë të kuqe, 90 kilogramë hudhra, 600 kilogramë speca të pajagës, 600 kilogramë speca për mbushje, 300 kilogramë speca të kuq, 3 mijë kilogramë tranguj, 360 kilogramë kungulleshka dhe 3 mijë kilogramë sallatë të gjelbër.

Ditë më parë, Demokracia.com ka raportuar sesi Ministria e Mbrojtjes ka hapur një tender për pastrim të pajisjeve dhe mbajtje të higjienës në Kuzhinat e FSK-së. Vlera e këtij tenderi kap shumën e 20 mijë eurove.