Ish-drejtori i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci, ka ngritur padi ndaj ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.
Padia është ngritur me pretendimet se Peci ka fyer dhe shpifur ndaj Gecit, shkruan IndeksOnline.
Në padinë e dorëzuar dje pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, thuhet se ministri Peci, në foltoren e Kuvendit, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes Mirlinda Tishukaj-Sadriu, ka shpifur dhe fyer për personalitetin e Gecit, duke deklaruar: “Projekti për inventarizimin e tokave bujqësore me vlerë prej 1.4 milion euro është një ndër projektet më abuzive dhe flagrante që unë kam gjetur në Ministrinë e Bujqësisë., ….. si rezultat i veprimeve që unë i kam ndërmarrë si ministër, por edhe mekanizmat e drejtësisë, aktualisht ish-drejtori i Institutit Bujqësor është i suspenduar dhe me aktakuzë të ngritur, e bashkë me të edhe 3 zyrtarë të tjerë, për shkak të abuzimit flagrant që kanë bërë me këtë projekt”.
Në padinë e paraqitur nga Geci thuhet se ministri i Bujqësisë obligohet të tërheqë këtë deklarim dhe të kërkojë falje, si dhe është kërkuar të paguhen 45 mijë euro dëmshpërblim për “dëmtim të reputacionit”. Në padi thuhet se ministri nuk ka paraqitur prova dhe fakte që dëshmojnë se ish-drejtori Geci ka kryer vjedhje në këtë projekt.
Madje, sipas palës paditëse, Geci ka qenë i ftuar në cilësi të të dyshuarit dhe jo në cilësi të të akuzuarit në rastin në fjalë.