Ramë Buja deklaron se Fadil Geci, dëshmitar në Gjykatën Speciale në Hagë, nuk e tha të vërtetën kur pohoi se “Ramë Buja ka marrë plumb pse i ka mbrojtur vëllezërit Geci”.
Buja ka kontaktuar Gazetën Express për të bërë reagim ndaj deklaratës së Fadil Gecit, duke thënë se nuk ka qenë viktimë asnjehërë.
“Janë të pavërteta pothuajse të gjitha përveç faktit që unë gjatë asaj kohe kur është bërë ajo komunikata e famshme 59, unë s’kam qenë në Shtab, por gjithmonë edhe gjatë luftës edhe pas luftës e kam shfaq atë kundërshtinë me atë komunikatë për faktin që ju kam thënë shokëve të mi (Gecve), mund të jenë gabimqarë në shumëçka, por megjithatë tradhtarë kombi s’janë. Këtë ja kam thënë edhe pas luftës Ganiut, mbase edhe Fadilit nuk e di a ja kam thënë. Por nuk ka ndodhë asnjëherë me thanë që unë kam qenë viktimë e asaj sepse nuk është e vërtetë. Unë asnjëherë s’kam qenë viktimë e askujt dhe unë kam mbajtë qëndrimin tim, këtu lidhet edhe plagosja ime në zonën e Nerodimës dhe absolutisht e saktë është ajo që thotë Shukri Buja sot që u lexua edhe në seancë gjyqësore se unë jam plagosë në zonën e Nerodimës kur ne i shtegëtonim pozicionet e ushtarëve bashkë me Shukriun e Fatmir Limajn, gjithë ato që u thanë rreth kësaj e u shpifën e trilluan më vjen keq shumë por nuk janë të vërteta. E vërteta është kjo që po e them, e për këtë desha të reagojë sepse këto janë diçka më së paku korrekte, miqësore, njerëzore e shoqërore. Kështu që unë kam pasur raporte të mira me Gecët por të fliten gjëra që nuk janë për t’u folur, paska thanë ai edhe në një emision tjetër që gjëja kam hangër plumbin gojës për shkak të qëndrimeve të mia, gjë që nuk qëndron fare është gënjeshtër e shpifje”, tha Buja për Gazetën Express.
Ai shtoi se situata është e rëndë sepse “njerëzit që katër vite e vuajnë ndarjen nga familja”, duke iu referuar paraburgimit të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
“Ky ishte reagimi sepse kam qenë në fakultet dhe nuk e kam dëgjuar kur ka reaguar dhe tash po e shoh nëpër media sepse të thuhen gjëra të pavërteta aty ku duhet të thuhen gjëra të vërteta që në fakt njerëzit janë që katër vite duke vuajtur ndarjen nga familja kjo është e rënda, ne mund të kemi simpati e antipati për njerëz të caktuar, por e vërteta është mrekullia e kësaj bote”, përfundoi Buja.
Dëshmitari Fadil Geci sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, tha se kur ka biseduar me Ramë Bujën lidhur me komunikatën e 59-të, ai i ka thënë që ka marrë plumb pse i ka mbrojtur vëllezërit Geci.
“Më ka thanë që kemi bisedu në Shtab aty. Ai e di atë, por thotë që kam pas pasoja edhe unë pse kam folë për ju, bile më thotë se unë kam hangër plumb pse ju kam mbrojtë juve e ju keni pas të drejtë edhe ju mirë na e keni ba se keni pas të drejtë. Ju kam thanë mani e nuk më kanë ngu, le ta bajnë me shnet e le të mbajnë përgjegjësinë”, tha Geci, duke shuar se Ramë Buja personalisht ia ka thënë këto fjalë.