Krimet Ekonomike të Policisë së Kosovës në mëngjesin e sotëm kanë nisur një aksion në nivel vendi, i cili aksion është duke vazhduar.
Dyshimet e para janë për veprime të kundërligjshme.
Prokurori i Prokurorisë Themeloren në Prishtinë në Departamentin për Krime të Rënda, Besnik Jakupi, lidhur me aksionin që po zhvillohet në pikat e laboratorit “Avicena”, tha se dyshojnë që certifikatat mjekësore për patentë shoferë janë lëshuar prej pikave që nuk kanë pasur licencë nga ky laborator.
“Po, me urdhëresë të gjykatës është. Unë e kam ba kërkesën, çertifikatat mjekësore për patentë shoferë janë lëshu prej pikave që nuk kanë pas licencë”, tha për “Betimi për Drejtësi” prokurori i rastit Besnik Jakupi.
Ndërsa, zëdhënësi i Policisë së KosovësLajmin Daut Hoxha ka konfirmuar se aksioni është duke u zhvilluar në nivel vendi.
“Ju konfirmoj se Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, në koordinim me Prokurorinë është duke realizuar një operacion policor në nivel vendi. Pas përfundimit, apo raportimeve nga tereni do te njoftoheni për detajet apo rezultatet e operacionit”, tha Hoxha.
Ndërsa, Gjylferije Zabeli nga zyra për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thase aksioni po zhvillohet me kërkesë të Krimeve Ekonomike.
“Sot nga ora 10:00, me kërkesën e Krimeve Ekonomike në Prishtinë është duke u zhvilluar inspektim në të gjitha pikat e Avicenës në RKS, inspektimi është duke vazhduar. Pas përfundimit do të dilet me një raport”, tha Zabeli për ”Betimi për Drejtësi”.
E njëjta shtoi se inspektimi në fjalë është i përgjithshëm dhe se nuk ka ndonjë kërkesë specifike.