Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas rritjes për 20% të penzioneve nga Qeveria e Kosovës, duke e vlerësuar për “mashtrim…që synon vota” dhe se për më tepër, “është gjysmake”.
Haradinaj tha se rritja prej 20% – në penzion bazë të moshës, 20 euro – nuk ndikon në mirëqenien e pensionistëve.
Postimi i Haradinajt:
Rritja e pensioneve sot nga Qeveria në ikje është mashtrim. Ky mashtrim shpërfaq fytyrën e këtyre njerëzve që shkon përtej humanizmit sepse ka në vete mesazhin e mashtrimit në shkëmbim të votës për njërën ndër kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, pensionistët.
Përveç që është mashtuese, kjo rritje është gjysmake dhe duke marrë parasysh bazën e ulët të pensioneve, as nuk ndikon në mirëqenien e pensionistëve por edhe lë jashtë kategori tjera sociale.
Në qeverinë e ardhshme që ne synojmë ta ndërtojmë, qysh në ditët e para të qeverisjes të gjitha pensionet dhe skemat pensionale do të kenë rritje të menjëhershme prej 50% dhe pastaj çdo vit rritje prej 10%. Të gjitha skemat pensionale do të jenë më shumë se paga minimale prej €500.