Komunës së vogël të Kamenicës shumë shpejt do t’i hiqen nga buxheti 40 mijë euro. Këto para do të shpenzohen për udhëtime me avionë për drejtuesit e komunës. Tenderi për blerjen e biletave tashmë është shpallur.

Komuna e Kamenicës që drejtohet nga Kadri Rahimaj i Lëvizjes Vetëvendosje, ka vendosur t’i shpenzojë 40 mijë euro për bileta avioni.

Kjo komuna ka hapur tenderin për blerjen e këtyre biletave, shkruan Demokracia.com.

“Shërbime të udhëtimit me Aeroplan – Bileta. Vlera e parashikuar e kontratës: 40,000.00 euro. Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve: data 23.10.2024”, thuhet në njoftimin e shpallur.

Sipas parashikimeve, me këto para do të blihen 100 bileta.

“Njësia matëse, sasia e përafërt për 24 muaj. Bileta Aeroplani, copë 100. Tarifa e shërbimit (service charge) e ofruar nga Operatori Ekonomik e shprehur në euro 600 euro”.

Komuna ka kërkuar nga kompanitë konkurruese që t’i japin çmimet reale të biletave që janë në treg.

“Operatorë ekonomikë duhet t’i japin çmimet reale të tregut për pozicion dhe në total për furnizimet e kryera dhe shërbimet e ofruara. Çmimet jo-normalisht të ulëta dhe çmimet më të larta se çmimet reale të tregut do të trajtohen në pajtim me Ligjin e Prokurimit Publik”.

Tutje në dosjen e tenderit është dhënë edhe sqarimi se “vlera e biletës prej 400.00 euro është një vlerë që shërben vetëm për kalkulim të çmimit dhe çmimi total do të përdorët vetëm për nevojat e vlerësimit të tenderit dhe nuk përcakton çmimin real të kontratës, pasi që çmimi do të krijohet përgjatë zbatimit të kontratës nga çmimet që do të procedohen nga sistemi kompjuterik i rezervimit”.

Komuna ia ka bërë të qartë edhe kompanive konkurruese disa privilegje që duhet t’i ketë kryetari kur udhëton.

“Ne raste kur një bilete të rezervuar me kërkesë të AK i shtohet bagazh shtesë apo ndryshim i ulëses apo çfarëdo ndryshimi tjetër që është i mundshëm do të paguhet vetëm kosto e atij ndryshimi, por jo edhe tarifë e re e shërbimit “service charge”, këto shërbime do të vendosen në raport nga kontraktuesi si shtesa të biletës bazë (por të ceket ndryshimi dhe kosto). Shtesa e bagazhit apo e ulëses do të aplikohet vetëm në raste kur udhëton Kryetari i Kuvendit dhe atë vetëm me kërkesë nga ana e Kabinetit të Kryetarit në formë të shkruar (email apo shkresë e veçantë)”./Demokracia.com/