Stamena Jeliq është dëshmitarja e 94-të në rastin e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Bashkëshorti i saj dyshohet të jetë rrëmbyer nga disa persona në kohën e luftës, dhe që nga atëherë, asgjë nuk dihet për fatin e tij.
Në seancën e Gjykatës Speciale, ajo është përballur me disa deklarata të dhëna në Ministrinë e Brendshme të Serbisë.
Dëshmitarja ka treguar se si ia kanë ndryshuar deklaratat në MUP-in serb, duke shtuar fjalë që ajo nuk i ka thënë kurrë.
“A e shihni nënshkrimin tuaj në fund të faqes?”, epyeti avokatja e Thaçit, Nina Tavakoli.
“E shoh por kjo nuk është deklarata ime. Unë e di shumë mirë çka kam thënë, këtë nuk e kam thënë”, u përgjigj dëshmitarja Jeliq, raporton Nacionale.
“A duhet të mendoj se në momentin që keni nënshkruar këtë deklaratë, kjo fjali nuk gjendej?”,pyeti avokatja.
“Saktë nuk kam përmendur fare asnjë fotografi dhe as gjoja që vjehrra më ka thënë mua. Këta emra që janë këtu, nuk është deklarata ime”, tha dëshmitarja më tutje.
Dëshmitarja e pranoi se nuk ka përmendur asnjë emër se kush ia ka rrëmbyer burrin, pasi në dokumentet e MUP-it të Serbisë, figuron se ajo e ka akuzuar Avni Balajn.
“E shoh këtë, por kjo nuk është deklarata ime, dhe këta emra Avni Balaj e të tjerë, nuk janë të miat”, tha dëshmitarja.
Avokatja Tavakoli vazhdoi me pyetje të tjera nga kjo dëshmi e saj për MUP-in e Serbisë.
“Në të njëjtën faqe, thuhet: ‘personalisht besoj që personi që ka qenë përgjegjës pas rrëmbimit të burrit tim është Avni Balaj, dhe fqinjët shqiptarë që kam përmendur’?”, pyeti ajo.
“E shoh por zonjë unë nuk e kam thënë këtë, nuk e kam përmendur atë apo dikënd tjetër si organizator i kësaj gjëje”, u përgjigj dëshmitarja.
“Por ju e keni nënshkruar?”, pyeti sërish avokatja e Thaçit.
“E shoh por këto nuk janë deklaratat e mia”, u përgjigj ajo sërish.
Ajo e akuzoi MUP-in e Serbisë se e ka improvizuar deklaratën e saj.
“Personat që kanë shkruar këto deklarata duket se kanë improvizuar, nuk e di si e kanë shkruar. Unë nuk kam përmendur këta emra kurrë”, tha dëshmitarja.
“Pak më herët thatë se kushdo që e ka shkruar e ka improvizuar? A po dëshmoni që MUP-i serb ka improvizuar?”, pyeti avokatja.
“Unë thjesht them që këto nuk janë fjalët e mia. Asgjë më tepër”, tha dëshmitarja.
Avokatja e Thaçit citoi edhe një raport të OSBE-së në të cilin thuhet se UÇK-ja nuk ishte e përfshirë në rrëmbimin e burrit të dëshmitares.
“E shihni raportin e OSBE-së dhe datat përkatëse. Dua të lexoj një pjesë: “Rasti më shqetësues e stresues ka qenë rrëmbimi i ish-punonjësit Marko Jeliq, çdo përpjekje ka rezultuar pa sukses për ta gjetur. Hetimet tregojnë se ka pasur përfshirje nga Shqipëria. Grupi Banda e Dorës së Zesë, përdoret me ironi kundrejt serbëve. Ky grup është grup që vepron jashtë kontrollit të UÇK-së. UÇK shpreh keqardhje për këtë rast”, tha ajo.