Ish drejtori i Përgjithshëm i RTK’së, Shkumbin Ahmetxhekaj, është deklaruar lidhur me dorëheqjen e tij nga ky post. Ahmetxhekaj fillimisht ka rrëfyer për një vizitë në Tiranë që të marrin modelin për themelimin e orkestrës së RTK’së dhe për Festivalin e Këngës.
“Ishte dita e 94-të qysh kur isha emëruar ushtrues detyre i Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së. Bashkë më Arsimin, Festimin dhe Florën u nisëm herët për në Tiranë, me mision të veçantë që të takojmë homologët në Radiotelevizionin Shqiptar dhe të marrim modelin për themelimin e orkestrës së RTK-së dhe për Festivalin e Këngës. Në gjithë kaosin e atij fillimviti dhe buxhetin e reduktuar kishim vendosur që të mos marrim meditjet që na takojnë, pasi na dukej se çdo cent duhej ruajtur për të mundësuar vazhdimin e funksionimit të RTK-së. Rrugës së kthimit diskutonim për vendimet e mëdha të marra gjatë 3 mujorit, përfshirë kontratat për shërbime, skemën e re programore dhe idetë për transformimin e RTK-së. Takimi me ish drejtorin Enkelejd Joti ishte caktuar në orën 10:00 ndërkaq të 4-tit kishim me dhjetëra pyetje, me Festimin (në atë kohë drejtor i TV-së) që nuk lëshonte rend me pyetjet për festivalin dhe orkestrën. Ky takim nuk zgjati shumë gjatë kthimit për në Kosovë, caktuam afatet dhe planin e veprimit për nisjen e festivalit (duke përfshirë negociatat me Ministrinë e Kulturës) dhe poashtu ideuam edhe organizimin e koncertit për Ditën e Paqes, dedikim për luftën në Ukrainë. Me dinamikë të paparë dhe përkushtim maksimal, me 11 qershor 2022 organizuam koncertin ‘Thirrje për Paqe’ dhe në tetor 2023, nisëm projektin e madh nacional të ‘Festivalit të Këngës”. Për të gjithë ju që po e lexoni këtë rrëfim, kjo mund të duket forma më e pazakonshme për të njoftuar për largim nga detyra, por edhe vet ky akt që i kam ofruar Bordit të RTK-së është i pazakontë.”
Ahmetxhekaj ka shkruar se ky rrëfim dëshmon “për një vullnet të jashtëzakonshëm për të transformuar dhe pasuruar RTK-në me program dhe ide të reja, pavarësisht mungesës së buxhetit dhe përkrahjes institucionale”.
Ai ka thënë se vendimi i tij për të dhënë dorëheqje është “kulmim i një presioni politik 7 mujor që rezultoi me mospajtime të thella me Bordin për çështje fundamentale të ecjes tutje të transmetuesit publik”
“Ky akt nuk është dorëzim dhe nuk reflekton vullnetin personal për të mos vazhduar me drejtimin e RTK-së, por është kulmim i një presioni politik 7 mujor që rezultoj me mospajtime të thella me Bordin për çështje fundamentale të ecjes tutje të transmetuesit publik. Në këtë kontekst, qëndrimi im i mëtutjeshëm në këtë pozitë kur ka mosbesim, mungesë të mbështetjes për procesin e reformës së RTK-së dhe Strategjinë Zhvillimore 2024-2027, është i pakumptimtë dhe do të sillte vetëm bllokadë e stagnim për transmetuesin publik.”
Ahmetxhekaj ka shtuar se 30 muajt në menaxhim të RTK’së do të mbesin për të nderi më i madh jetësor.
“30 muaj në menaxhim të RTK-së do të mbesin për mua nderi më i madh jetësor, ngase arrita t’i shërbej me sukses fuqizimit dhe rritjes së kredibilitetit të shtëpisë sime të dytë. Kjo dëshmohet edhe me hulumtimet e opinionit publik. Jam krenar që gjatë kësaj periudhe, pavarësisht shkurtimit buxhetor, përmbusha në masë të madhe strategjinë e prezantuar në qershor 2022, kur edhe mu besua mandati për të udhëhequr me RTK-në. Në më pak se 3 vjet, u zbatua projekti për Festivalin e Këngës, u organizuan dy koncerte fantastike të RTK-së, u hartuan dokumentet strategjike për reformën e RTK-së, nisëm shou televiziv, përmirësuam rrjetin transmetues të kanaleve të Radio Kosovës, përmirësuam dukshëm kushtet e punës, investuam në teknologji e studio të reja, hapëm zyret rajonale në Prizren dhe Mitrovicë dhe së shpejti edhe në Pejë e Gjilan, siguruam të drejta sportive, duke përfshirë ndeshjet e kombëtares së Kosovës në futboll, Ligën e Kampionëve dhe ligat e tjera të UEFA-së, transformuam mediat online dhe skemat programore në të gjitha njësitë, siguruam prezencën tonë në operatorët kabllorë në veri të Kosovës, përfituam projekte të shumta me partnerët ndërkombëtar, zbatuam projekte inovative teknologjike dhe shumë projekte të tjera që mundësuan avancimin dhe rritjen e kredibilitetit të RTK-së.”
Ai ka thënë se EBU ka njoftuar bordin se ndryshimet në menaxhment mund të kenë efekt në aplikimin për t’u bërë pjesë e Eurovisionit.
“Mbi të gjitha, tashmë jemi afër përmbushjes së ëndrrës për tu ftuar si pjesëmarrës në Festivalin e këngës ‘Eurovizion’ në vitin 2025, si rezultat i partneritetit tonë serioz e kredibil me EBU-në. Shpresoj shumë që ky projekt të finalizohet pavarësisht se Bordi është njoftuar nga EBU se ndryshimet në menaxhment do të mund të kenë efekt në aplikimin tonë. Pavarësisht gatishmërisë sime që të vazhdoj të ushtroj detyrën deri në finalizimin e procesit me qëllim që të mos rrezikohet ky projekt madhor, Bordi ka injoruar kërkesën time.”
Në fund Ahmetxhekaj ka falënderuar kolegët dhe ka një urim për RTK’në.
“Në ndërkohë, edhe raportet zyrtare dëshmojnë për progres të jashtëzakonshëm të RTK-së. Nga 17 gjetje e rekomandime në vitin 2022 nga Zyra Kombëtare e Auditimit, këtë vit kishim 7, me vetëm njërën prej tyre si bazë për opinion. Kjo dorëheqje është e pazakontë, pasi me këto të arritura pajtohet edhe Bordi por situata aktuale është larg entuziazmit të prillit 2022 kur me ekipin tim të asaj kohe ndërtuam themele të fuqishme të ndryshimit strukturor e programor duke marrë vendime të guximshme e profesionale që trasuan rrugën për ndryshimet e tjera pasuese. Me atë ekip, kishim plane të mëdha dhe punuam më përkushtim maksimal për ta bërë realitet, ëndrrën për një RTK të fuqishme, kreative, të pavarur dhe llogaridhënëse. Në gjykimin tim, një Drejtor i Përgjithshëm do të duhej të kishte mbështetje të plotë në krijimin e ekipit të tij dhe të mbrohet nga interferimi politik në çfarëdo forme dhe kurdo që mund të shfaqet. Uroj që pasardhësi im të jetë më fatlum në këtë drejtim. Të gjithë kolegëve, falemnderit për besimin dhe durimin e treguar gjatë kësaj kohe. Tashmë më në fund kemi miratuar rregulloren për rekrutim dhe planin e rekrutimit përmes konkurseve të brendshme, që do të mundësojnë trajtimin tuaj adekuat profesional. Falemnderit miqve dhe partnerëve për bashëkpunimin dhe besimin gjatë kësaj periudhe. Uroj që RTK-ja të zhvillohet dhe transfomohet ashtu siç e pret publiku.”