Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Prishtinës i ka ndaluar punimet në objektin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Kjo për shkak se MPJD nuk kishte marrë leje nga Komuna për modifikimin e strukturës së objektit të MPJD-së.

Demokracia.com e ka fotografuar vendin ku po kryheshin punimet dhe ku duket se janë ndaluar nga komuna e Përparim Ramës.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duket se është gati në përfundim të projektit të saj, ndonëse nuk e kishte lejen për modifikimin e objektit.

“Tani kur kemi projektin detal dhe aktivitetet mermetuese janë duke u zhvilluar me dinamikë të plotë, jemi para situatës duke përmbledh edhe kërkesat tjera për inventor dhe mobile, të fillojmë me procedura për furnizimin me inventor të terasave (pjesa e mbyllur). Prandaj, duke kërkuar mirëkuptimin e juaj, ju lus të na ndihmoni në këtë fazë delikate, duke pas parasysh interesimin e z.Gërvalla në organizimin e teresave.”, thuhet në një email që e ka siguruar Demokracia.com, që është komunikim i brendshëm ku i raportohet Gërvallës për ecurinë e punimeve.

Në lejen e lëshuar nga komuna parashihej rinovimi dhe punët që MPJD-ja lejohej t’i bënte në objekt.

Pika II e vendimit për lejimin e zhvillimeve të punëve parasheh: “Punët e demolimit dhe pastrimit, Punët e rikonstruktimit dhe adaptimit”.

Ndërsa në punët e planifikuara që mund të bëhen, askund nuk parashihej ndërtimi i ankesit shtesë pranë objektit ekzistues.

Ndërkaq, pika III e këtij vendimi thotë qartë që nuk duhet të cenohet gjendja ekzistuese e ndërtesës dhe nuk duhet të dëmtohet infrastruktura ekzistuese nën dhe mbi tokë.

“III.Zhvillimi i punimeve te pershkruara ne piken II. te dispozitivit te ketij akti, duhet te behet nga ekipet profesionale, duke mos cenuar gjendjen ekzistuese te nderteses dhe duke mos demtuar infrastrukturen ekzistuese nen dhe mbi toke (me mbikeqyrje te profesionisteve te lemive perkatese), dhe sipas dokumentacionit ndertimor/projektit ideor te prezantuar,nga kompania projektuese “DEA GROUP”, dhe i cili do te jete pjese perberese e ketij vendimi”, thuhet në vendimin e Komunës së Prishtinës.

Gjithashtu, vendimi për lejim të punimeve parasheh që çdo punë që bëhet jashtë kësaj leje do të cilësohet si ilegale.

“VI. Nese kerkuesi nuk i permbahet ketij vendimi/pelqimi, dhe kryen punime tjera nga ato te pershkruara ne piken I. te dispozitivit te ketij akti, ky vendim/pelqim pushon se vlejturi, ndersa punimet do te trajtohen ilegale”, thuhet në pikën gjashtë të vendimit.

Po ashtu, ndërtimi i këtij ankesi e pamundëson edhe lidhjen e Sheshit “Zahiri Pajaziti” përmes objektit të Hotelit “Grand”.

Komuna e Prishtinës e kishte arsyetuar vendimin për dhënien e lejes për lejimin e punimeve, duke thënë se “është konstatuar se punimet ndërtimore për të cilat është kërkuar lejimi i zhvillimit të tyre, nuk trajtohen ndërtim e as rindërtim, kryesisht janë punime për mirëmbajtjen e ndërtesës, me qëllim të kthimit të njësive të ndërtesës të katit Përdhese, Mezaninit, dhe Katit të gjashte në kushte të pranueshme të punës, duke bërë ripërteëitjen apo rregullimin e hapësirave (kthinave) të ndërtesës, pa e cenuar autenticitetin e dukjes dhe origjinalitetin e ndërtesës ekzistuese”. /Demokracia.com/