Ministria e Mbrojtjes ka shpërblyer me tender 2 milionë 149 mijë euro grupin e operatorëve ekonomik “N.T.P HAJDINI COMERC & BYLMETI – KS” për ushqimin e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Në tenderin me titull “Sherbimet me ushqim (përgatitje dhe servim) për nevojat e FSK-së” që ishte me procedurë të negociuar, çuditërisht nuk u ftua për ofertim kompania “Beni Dona PLast” SH.P.K që deri sot furnizon me ushqim të gjithë kazermat e FKS-së në Kosovë.
Ministria e Mbrojtjes ka shpërblyer me kontratë me vlerë 2 milionë e 149 mijë euro Grupin e Operatorëve Ekonomikë: N.T.P “Hajdin Comerce” & Bylmeti-KS për ushqim në kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Lloji i procedurës që ka ndjekur Ministria e Mbrojtjes e udhëhequr nga ministri Ejup Maqedonci, është Procedura e Negociuar pa Publikim të Njoftimit për Kontratë.
Sipas dokumenteve që ka parë Nacionale, për këtë tender janë ftuar disa operatorë ekonomikë, por Autoriteti Kontraktues – Ministria e Mbrojtjes – nuk e ka ftuar për ofertim kompaninë “Beni Dona Plast” Sh.P.K nga Prishtina që është duke furnizuar FSK-në dhe kazermat e saj me ushqim.
Më poshtë, mund t’i shiheni operatorët ekonomikë që kanë ofertuar dhe vlerën e ofertës së tyre.
Ndërkaq, dy grupet e operatorëve të tjerë ekonomikë që kanë ofertuar në këtë aktivitet të prokurimit, njeri është shpallur si i pa suksesshëm për shkak të çmimit të lartë, ndërsa tjetri është eliminuar nën arsyetimin se nuk i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në Dosjen e Tenderit.
Ndërkohë, sipas të dhënave të ARBK-së, kompania liderë që ka fituar këtë tender N.T.P “Hajdini Comerce” aktivitet kryesor të biznesit e ka: 4711 -Tregtia me pakicë në dyqane jo të specializuar, ku mbizotëron ushqimi, pijet dhe duhani. Ndërsa, aktivitet sekondar e ka:
4639 | Tregtia me shumicë, jo e specializuar, e artikujve ushqimorë, pijeve dhe duhanit. |
Anëtari i këtij Grupit të OE: “Bylmeti KS”, aktivitet kryesor të biznesit e ka:
1051- Prodhimi i Produkteve të Qumështit, ndërsa aktivitet sekondar e ka:
4633- Tregtia me shumice e produkteve të qumështit , vezëve ,vajrave dhe yndyrave të gatimit.
Në Dosjen e Tenderit të këtij aktiviteti të prokurimit nga Autoriteti Kontraktues – Ministria e Mbrojtjes është kërkuar: Kërkesa 4. Certifikata e regjistrimit të biznesit ( me certifikate duhet të dëshmoj se OE ka aktivitet primar shërbime të ushqimit dhe aktivitet shërbyes lëvizës të ushqimit ).
Sipas Dosjes së Tenderit, të publikuar në platformën e-prokurimi Grupi i OE: N.T.P. Hajdini Comerc & Bylmeti-KS do të shërbejnë ushqim për ushtarët e FSK-së në kazermat e saj në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Istog, Ferizaj, Pomozotin, Gjakovë, Prizren.
Tutje, Nacionale ka mësuar nga burime brenda Ministrisë së Mbrojtjes se Sekretari i sapo zgjedhur i kësaj ministrie, Gafurr Dugolli, vëllai i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka kërkuar largimin e kompanisë “Beni Dona Plast” SH.P.K nga tenderi për furnizim me ushqim të FSK-së.
Gazeta ka mësuar se edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, ka bërë presion dhe ka ndikuar në largimin e kompanisë “Beni Dona Plast” SH.P.K nga tenderi në fjalë.
Nacionale ka kontaktuar me Sekretarin e Ministrisë së Mbrojtjes, Gafurr Dugolli, por ai nuk ka dashur të përgjigjet përmes telefonit. Ai ka kërkuar që pyetjet të dërgohen në adresën e ministrisë.
Po ashtu, Nacionale ka kontaktuar me zyrtarin e MM-së, Muhamet Xhylani, që është Zyrtar Përgjegjës i Prokurimit ne Ministrinë e Mbrojtjes.
Xhylan nuk u përgjigj në pyetjet përmes telefonit dhe kërkoi që të njëjta të dërgohen në ministri të Mbrojtjes, ani pse Xhylani ka nënshkrimin në dokumentin për dhënien e kontratës.
“Çdo gjë që ki pyetje zyrtare, shkoni i bon më shkrim pyetjet përmes zyrës për informim ose personit të caktuar në qasje për dokumenta publike në Ministrinë e Mbrojtjes. Jo nuk mundem se nuk kam të drejtë. Janë zhvilluar procedurat” – ka thënë ai.
Kujtojmë se kontrata 2.1 milionëshe është e vlefshme për gjashtë muaj.
“Kontrata do te jete validë deri ne lidhjen e kontratës se re por jo me shume 6 ( gjashte) muaj, mirepo ne rast se AK i MM-se arrin te hyje ne kontratë te rregullt baze atëherë automatikisht kjo kontratë do të ndërpritet.” – thuhet në Dosjen e Tenderit.