Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në Mitrovicë, ku një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri dhe gjendja e tij shëndetësore është e rëndë.

Viktima është 40-vjeçari, F.Zeqiri, cili është duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Në drejtim të 40-vjeçarit nga Vincari, janë shkrepur gjashtë plumba dhe e gjithë kjo ka ndodhur pas shpinës së tij.

Kështu ka bërë të ditur ish-kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.

“F. Zeqiri (40 vjeç) nga Vinarci, mbeti i plagosur rëndë pas të shtënave me armë ku u shkrepën 6 plumba në drejtim të tij. Ky akt, ndodhi prapa shpinës së tij, dhe gjendja e tij anipse e rëndë po vazhdon të monitorohet vazhdimisht nga emergjenca e QKUK-së”, ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkaq, rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Sot, rreth orës 09:42, në Mitrovicë, është raportuar për një person të lënduar nga arma e zjarrit. Rasti ka ndodhur në rrugën ‘Fatime Hetemi’ në Mitrovicë. I plagosuri, viktima i moshës madhore është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë për Sinjalin zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.