Koordinatorja e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali është paraqitur në Prokurorinë Speciale të premten.
Ajo do të merret në pyetje për dy raste të korrupsionit.
Mihali, konkretisht është ftuar të merret në pyetje për rastet e ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi dhe kryeshefit aktual të “Ibër-Lepencit”, Faruk Mujka. Të dy këto raste janë nën hetim nga Specialja.
Burime të Paparacit kanë thënë se Mihali ka dijeni për tenderët milionësh në KEK për të cilët është nën hetim Nagip Krasniqi, si dhe për rastin e keqpërdorimit të detyrës për të cilin po hetohet Faruk Mujka.
Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi ndodhet nën hetime për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, në një rast që ndërlidhet me dyshimet për dallaveret me tenderë publikë.
Në muajin gusht, ndaj Krasniqit është ngritur një aktakuzë për një rast tjetër të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Ai rast ka të bëjë me shit-blerjen e energjisë. Rasti për të cilin po hetohet ai aktualisht, është i ndarë nga tregtia me energji.
Edhe Faruk Mujka, aktualisht kryeshef i ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenc” dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.