Gjykata e Prizrenit e ka shpallur fajtor të pandehurin Enis Tamnik dhe e ka dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve, i akuzuar se ka goditur me veturë Hajrush Behlulin, bashkëshortin e këngëtares Shkurte Fejza.
Aktgjykimin e ka shpallur gjyqtari Gani Kastrati. Dënim nuk do të ekzekutohet në periudhë verifikimi prej 1 viti, raporton Kallxo.com.
Mbrojtësi i të pandehurit Enis Tamnik, avokati Blend Gjini, tha se mendon se dënimi ndaj të mbrojturit të tij është joproporcional me peshën e veprës penale të kryer, pasi që i akuzuari ka pranuar fajësinë në tërësi në mënyrë vullnetare, kurse sipas ekspertit të komunikacionit të dy palët, si i akuzuari ashtu edhe pala e dëmtuar, janë fajtorë për aksidentin.
Gjini deklaroi se sapo ta pranojë vendimin e Gjykatës do ta apelojë në Gjykatë e Apelit.
Sipas dosjes së Prokurorisë, i pandehuri në ditën kritike duke drejtuar automjetin e tij nuk e përshtat shpejtësinë e lëvizjes, kushteve dhe rrethanave të rrugës, dhe si pasojë e vozitjes së pakujdesshme, deri sa i dëmtuari Hajrush Behluli ishte duke kaluar rrugën nga ana e djathtë në të majtë, i pandehuri në pjesën e përparme të automjetit të tij e godet të dëmtuarin.