Zyra e Presidentes së Kosovës ka shpallur një tender prej 14 mijë eurosh për blerje të gomave. Në këtë tender tregohet se këto goma janë për veturat e blinduara.
Veturat e blinduara që përdoren nga Presidenca e Kosovës shumë shpejt do të kenë goma të reja.
Tenderi për blerjen e tyre tashmë është hapur dhe sipas parashikimeve kap vlerën e 14 mijë eurove.
Sipas tenderit të shpallur, me këto para do të blihen 10 goma, shkruan Demokracia.com.
“Furnizimi dhe montimi i gomave për automjetet të blinduara. Vlera e parashikuar e kontratës: 14,000.00 euro. Afati i fundit për pranim të tenderëve / aplikacioneve: data 07.10.2024”.
Në dosjen e tenderit tregohet se gomat duhet të dorëzohen brenda një kohe të caktuar.
“Dorëzimi i gomave duhet të bëhet në afat kohor prej 45 ditëve” .
Janë dhënë edhe disa detaje se çfarë goma do të blihen nga Presidenca për këto vetura.
“Dimensioni i gomave-275/70R18 128/125Q 12PR. Pesha e gomave 25.2 kg. Gjerësia – 275 mm. Diametri – 842 mm. Indexi i ngarkesës – 128/125 (1800/1650 kg). Indexi i shpejtësisë – Q (160 km/h) Shënjat – M+S, 3PMSF (gomë dimri)”.
Ditë më parë, Demokracia.com ka raportuar sesi presidentja Osmani po vozitet me veturë të AKI-së, deri sa vetura e saj ka përfunduar te mjeshtri dhe po i ndërrohet motori në vlerë prej 25 mijë eurosh.