Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e ka hedhur poshtë propozimin e presidentes Vjosa Osmani për tërheqjen nga detyra të ambasadorit Martin Berishaj deri në përfundimin e hetimeve për keqpërdorime financiare ndaj tij.

Haxhiu, në një konferencë për media pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë të mërkurën, tha se qeveria e vlerëson të pastër ambasadorin Berishaj.

Këto komente, ajo i bëri pasi u pyet rreth deklarimit të presidentes Osmani e cila ka thënë se ambasadori Berishaj do të ishte mirë që të largohej nga detyra deri në përfundimin e hetimeve penale ndaj tij.

“Së pari, ne i kemi thënë qëndrimet tona tash e sa kohë për ambasadorin Berishaj. Ka pasur një komision hetimor që s’gjeti asgjë. Prandaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme që të kihen parasysh këto aspekte, dhe në anën tjetër vlerësojmë se nuk ka pasur as keqpërdorim të detyrës zyrtare, as pasurim të pabazë dhe as ndonjë përfitim material dhe të tjera e të tjera”, tha Haxhiu.

“Andaj, duke qenë se kemi folur disa herë për këtë, edhe kryeministri Kurti, edhe ministrja Gërvalla… e edhe presidentja Osmani më herët, vlerësoj se nuk kam çka të shtoj më tepër për këtë çështje”