animë që jemi në sezonin e ngrohtë, të gjithë po planifikojmë dalëngadalë një dietë me të cilën planifikojmë të rikthehemi në formë dhe të përgatitemi për pushimet verore
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se një gjë, që nënkupton çdo dietë moderne, mund të prishë planet dhe të ndërhyjë në planin e humbjes së peshës për shumë njerëz.
Për disa njerëz, e ashtuquajtura ‘dita e mashtrimit’ mund të prishë humorin kur mbajnë dietë, sepse atë ditë ata ndihen sikur po bëjnë diçka të gabuar dhe shpesh ndihen fajtorë ose të turpëruar. Dhe, kjo është arsyeja pse ekspertët mendojnë se është koha për të hequr qafe atë të menduarit ‘të gjitha ose asgjë’.
– Ndonjëherë duhet t’i japim vetes pak pushim. Duhet të pranojmë se jemi njerëz dhe se nuk mund të ndjekim në mënyrë të përpiktë planin e dietës çdo ditë, gjatë gjithë ditës. Në fillim të çdo diete, është e rëndësishme të kuptoni se do të ketë ulje-ngritje dhe se i gjithë ky është një proces normal – shpjegon Kristin Kirkpatrick, nutricioniste nga Klinika e Cleveland.
Ajo këshillon që në vend që të praktikojmë një ditë kur i japim vetes pushim për të ngrënë atë që duam, duhet të përpiqemi të ndjekim rregullin 80-20, transmeton Telegrafi.
Cili është rregulli 80-20?
Ky rregull nënkupton që 80 për qind e rasteve ne hamë ushqim të pasur me lëndë ushqyese, dhe 20 për qind e mbetur është ajo që dëshiron shpirti ynë. Përveç kësaj, duhet të ndalojmë ndarjen e ushqimit në të mirë dhe të keq, por të mendojmë për lëndët ushqyese që na ofron çdo lloj ushqimi.
Ekspertët këshillojnë që duhet të qëndrojmë larg dietave që kufizojnë rreptësishtë atë që hamë sepse një mënyrë e tillë të ushqyeri nuk është e realizueshme në planin afatgjatë.
– Kur shikojmë se çfarë është e qëndrueshme në afat të gjatë dhe mund të na sjellë sukses, gjithçka zbret në pranimin e preferencave personale, por edhe kulturore dhe fetare. Kur kapemi pas mendimit se nuk duhet të hamë diçka sepse nuk do të na sjellë rezultatin e dëshiruar, nuk e ndihmojmë veten me adoptimin e një zakoni të shëndetshëm sepse atëherë nuk është e natyrshme për ne dhe as ajo që do të donim – thotë Kirkpatrick.
Para çdo diete, është gjithashtu e nevojshme të konsultoheni me mjekun tuaj të zgjedhur, si dhe një nutricionist, për të përcaktuar nëse plani i dietës së zgjedhur është i shëndetshëm dhe i përshtatshëm për ne