Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka deklaruar në emisionin DPT te Fidan Jupolli, se puna e tij në sektorin e Bujqësisë dhe sjellja e tij ministrore janë revolucionarizuese jo vetëm për shtetet e rajonit këtu në Ballkan, por edhe për shtetet e Bashkimit Evropian.

“A e dini çfarë dallimi rrënjësor e radikal ekziston në ministrinë e Bujqësisë. Dallimi është si dita me natën, radikal”, tha fillimisht Peci, për t’u lëshuar në lavdata të tjera për vetën.

“I kemi dhënë përkrahje sektorit të Bujqësisë 300 milionë euro, e prej 300 milionë eurove ofrim për sektorin e Bujqësisë i pari i ministrisë së Bujqësisë nuk e ka ushtru ndikimin as edhe në një rast të vetëm se kush do të jetë përfitues i subvencioneve ose i granteve. Kjo nuk është revolucionare vetëm për nivelin e rajonit ose vendet e Ballkanit, po kjo nuk besoj që ekziston as në vendet e Bashkimit Evropian”, pohoi Peci dhe u zgjerua në shpjegim, “kjo, ku një ministër e ka përgjegjësinë e menaxhimit 300 milionë euro dhe në asnjë rast nuk e ushtron asnjë ndikim”, shkruan Albanian Post.

Kjo nuk është hera e parë që Peci për elemente krejt normale të punës së ministrit shprehet me pompozitet, duke eskaluar krejtësisht si në këtë rast të krahasimit me Bashkimin Evropian.

Normalisht deklarimet e Pecit janë krejtësisht të pavërteta.

Buxheti vjetor i Bashkimit Evropian është rreth 180 miliardë euro dhe rreth 25 për qind e kësaj shume shkon në bujqësi dhe degë të ndryshme të kësaj fushe. Patjetër se as që diskutohet që nuk ka kurrfarë ndikimi korruptiv të personave që merren me shpërndarjen e këtyre shumave miliardëshe.