Dje pas orës 18:00, siç edhe ishte paralajmëruar, disa grupe me qytetarë serb kishin bllokuar pikat kufitare me Kosovën. Pasi situata filloi të ndërlikohet edhe institucionet e Kosovës u detyruan të marrin masa duke mbyllur pikat kufitare, shkruan Periskopi.
Për situatën reaguan dhe patë paralajmërime për qytetarët nga ministria e Punëve të Brendshme dhe ministria e Punëve të Jashtme.
Nuk mungoi as mesazhi i presidentes së vendit, Vjosa Osmani drejtuar ndërkombëtarëve
Osmani duke akuzuar shtetin serb për bllokimin e rrugëve në afërsi të kufirit më Kosovën i bëri thirrje ndërkombëtarëve që të reagojnë në lidhje bllokimin e pikave kufitare në Merdarë e Bërnjak.
Por për krejt këtë situatë të krijuar i heshtur mbeti kreu i ekzekutivit, Albin Kurti.
Ani pse ishte në humor të mirë nga Rahoveci, kur u pyet për bllokimin e kufijve tha se “sot kemi festë”.
Kurti ishte i pranishëm edhe në ndeshjen e mbrëmshme që u zhvillua mes Kosovës dhe Rumanisë për të cilën u shpreh se ishte “mbrëmje e vështirë për ekipin”.
Ndërkohë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se janë hapur pikat kufitare në Bërnjak dhe Merdarë, pasi u mbyllen për qarkullim dje.
“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak. Rend dhe ligj, paqe e siguri, cep më cep e në çdo kufi të Republikës tonë” shkroi Sveçla në Facebook.