Buxheti i Komunës së Podujevës për vitin 2024 është në vlerë prej 31,043,019.00 euro. Nga ky buxhet, komuna e Shpejtim Bulliqit ka paraparë edhe investime kapitale në disa fusha, shkruan Demokracia.com.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka udhëhequr me Komunën e Podujevës përreth një dekadë e gjysmë. Kjo parti, ndonëse përflitej së planifikonte t’ia ndërtonte një shtatore ish-presidentit Ibrahim Rugova, këtë nuk e kishte bërë. Lëvizja Vetëvendosje, e cila tash udhëheq me këtë komunë e ka marrë primatin që t’ia ndërtojë një monument Ibrahim Rugovës, i cili ishte themelues i LDK-së dhe president i parë i Kosovës.

Inaugurimi i kësaj shtatoreje, e cila në Podujevë po shihet si “flirtim” i Kurtit me elektoratin e LDK-së, do të bëhet sot. Ndërkohë që në Podujevë dha grant investiv edhe për shtatoren e Rugovës, Kurti nuk i ka përkrahur as projektet kapitale të Komunës së Skenderajt që janë për nevojat elementare të popullsisë së asaj ane.

“Ndërtimi i shtatores së Ibrahim Rugovës”. Kështu quhej projekti i Komunës së Podujevës që figuronte në buxhetin e vitit 2024, të cilin e ka parë Demokracia.com.

Për ndërtimin e saj ishin ndarë 50 mijë euro dhe paratë ishin grant i Qeverisë Kurti.

Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti, të cilët pas bashkimit me partinë e Vjosa Osmanit e përgjysmuan LDK-në, duke ia marrë një përqindje të madhe të elektoratit, po vazhdojnë ta përdorin figurën e Rugovës për nevojat e tyre elektorale. Kurti dikur e quante Rugovën si “peng të lëvizjes çlirimtare” dhe LDK-në autoritare e jodemokratike.

Kryeministri Albin Kurti muaj më parë e kishte vizituar edhe familjen Rugova, me rastin e 18-vjetorit të vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, të cilët i ka njoftuar se së shpejti do të nisin punimet për restaurimin e rezidencës së tij.