Importi dhe eksporti po realizohen pa telashe midis Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, kompanitë kosovare nuk kanë asnjë mundësi për të lidhur kontrata publike me institucionet shtetërore të Serbisë. Ndërkohë, kompanitë nga Serbia po vazhdojnë të fitojnë kontrata të rëndësishme në Republikën e Kosovës. Miliona euro çdo vit po transferohen nga buxheti i konsoliduar i Kosovës në kontot e kompanive nga Serbia, një shtet me të cilin Kosova ende ndodhet në konflikt të hapur, raporton Demokracia.com.
Një shembull i dukshëm është Ndërmarrja “Trepça” sha dhe Ndërmarrja “Trepça – Ndërmarrje në Administrim të AKP”, të cilat gjenden fare pranë njëra-tjetrës. Deri sa e para është në krizë të thellë financiare, e dyta vazhdon të operojë pa probleme të mëdha, përkundër që të dyja janë nën juridiksionin e shtetit të Kosovës.
Në këtë kontekst, ndërkohë që shteti i Kosovës nuk ka mjaftueshëm burime për të nxjerrë nga kriza Ndërmarrjen “Trepça” sha, pjesa e saj që menaxhohet nga komuniteti serb, por që është nën juridiksionin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), vazhdon të dërgojë paratë e saj në Serbi.
Një shembull tjetër është tenderi i shpallur nga Ndërmarrja “Trepça – Ndërmarrje në Administrim të AKP,” që shpalli fituese sot kompaninë serbe “MBV Mineros d.o.o,” me qendër në Loznica, një qytet në pjesën perëndimore të Serbisë.
Tenderi, me vlefshmëri 12 mujore, ka të bëjë me “Punimet kërkimore dhe përgatitore dhe nxjerrjen e xehes në horizontin V dhe VI në minierën e Crnacit”, me një ofertë prej 423,424.00 euro.
Kjo kompani (Trepca) lidh kohë pas kohe kontrata me kompanitë nga Serbia, përfshirë raste të mëparshme ku Posta e Kosovës dhe Dogana e Kosovës kanë bashkëpunuar me kompani serbe për ofrimin e shërbimeve të ndryshme.
Kjo praktikë tregon për një paradoks në marrëdhëniet Kosovë-Serbi: ndërsa barrierat politike mbeten të ngritura, lidhjet ekonomike vazhdojnë të funksionojnë. Për shumë, ende mbetet e shtruar pyetja sesi shteti i Kosovës lejon rrjedhjen e fondeve publike drejt kompanive të një vendi që nuk e pranon Republikën e Kosovës dhe përpiqet t’ia minojë vazhdimisht shtetësinë