Zgjedhjet po afrohen, e fushatat elektorale veçse kanë nisur. Partia në pushtet, i ka aktivizuar njerëzit e saj në terren. Një rast ‘më i veçantë’ është ai i Valon Prebrezës, i cili dikur ishte një militant i partisë, e më pas u shpërblye me një pozitë në Ministrinë e udhëhequr nga Artane Rizvanolli, shkruan Periskopi.

Prebreza, për të cilin raportoi Periskopi ditë më parë, se pritet të jetë edhe kandidat i VV-së për kryetar në Komunën e Fushë Kosovës, pozitën që e mban në Ministrinë e Ekonomisë ka filluar ta përdorë pak muaj para zgjedhjeve nacionale.

Valon Prebreza, më 4 shtator ka nisur një e-mail (të cilën e ka siguruar Periskopi) drejt ndërmarrjeve publike në vend. Ai iu ka ‘rikujtuar’ kryeshefave mundësinë që të punësojnë praktikantë në ndërmarrjet që i udhëheqin.

“Të nderuar kryeshefa,

Për të përkrahur ngritjen e kapaciteteve njerëzore, ju rikujtojmë mundësinë e punës praktike përmes programit “Kosovo Generation Unlimited”. Ky program ju mundëson angazhimin e praktikantëve me bashkëpagesë nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe nga UNICEF në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në e-mailin e dërguar nga Prebreza drejt kryeshefave të ndërmarrjeve publike në vend.

Terrenin për fushatë, Prebreza e ka nisur herët edhe për zgjedhjet lokale. Ai krah vetes po e merr edhe Kryeshefin e Kompanisë së Ujësjellësit Rajonal Prishtina, Arsim Fetahun.

Përmes disa postimeve në llogarinë e tij në Facebook, Valon Prebreza bashkë me Arsim Fetahun kanë vizituar nga afër disa fshtara të Fushë Kosovës nga ku edhe premtuan furnizmin me ujë të pijshëm.

Vlen të theksohet se Periskopi më herët kishte raportuar për punësimet familjare në Koorporaten Energjetike të Kosovës(KEK), e në mesin e tyre ishte edhe kushëriri i Valonit, Nexhat Prebreza.