Naser Sopjani, avokati i Salih Sekiraqës – njërit prej të dyshuarve për përleshjen me armë në Aktash – ka mohuar të ketë pasur probleme të mëhershme mes familjes Sekiraqa dhe asaj Gashi, të njohur si ‘Capat’.

Sipas Sopjanit, ka pasur mosmarrëveshje mes të rinjve dhe asnjë problem mes dy familjeve.

Nuk ka asnjë problem familja Sekiraqa me atë të Capave. Mosmarrëveshje mes rinjve, përndryshe asnjë të keqe nuk ka pasur familja Sekiraqa me capave”, ka thënë ai në Pressing.

Madje Sopjani, ka thënë se shumica e atyre që po thuhen janë vetëm raportime të mediave, poqë në realitet nuk ka asgjë zyrtare prej tyre.

Gjykata Themelore në Prishtinë u ka caktuar nga një muaj paraburgim pesë të dyshuarve për përfshirjen në ngjarjen e rëndë që ndodhi në Aktash, ku si pasojë e përleshjes me armë zjarri mbeti i vrarë një person dhe u plagosën pesë të tjerë. I plagosur ka mbetur edhe Salih Sekiraqa.

Kryeprokurori i Prishtinës, Zejnullah Gashi konfirmoi të hënën për Gazetën Online Reporteri.net se dy familjet kanë qenë të përfshirë edhe në një konflikt tjetër në muajin mars, ku një person atë kohë kishte mbetur i plagosur, anëtar i familjes së Capave.

Në raportin 24 orësh, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes ka gjetur dy pistoleta dhe një karikator me dy fishekë në rrugën “Gazmend Zajmin” në Prishtinë.

Lidhur me rastin, Prokuroria dje tha se ka edhe persona të tjerë të përfshirë, e të cilët vazhdojnë të jenë në kërkim.