Një inspektim që ia bëri sot lagjes luksoze “Marigona Hill”, presidentja Vjosa Osmani, ku edhe ka blerë shtëpinë e re, na bëri të kthehemi katër vite pas dhe ta kujtojmë kohën kur ajo ankohej në mediat dhe analistët për blerjen e një prone.
Veç katër vjet më parë ajo ankohej se jetonte në një banesë të vogël njëdhomëshe, bashkë më bashkëshortin dhe dy vajzat.
“Unë bashkëshorti dhe dy vajzat tona jetojmë në një banesë njëdhomëshe në Prishtinë që nga viti 2012 kur kemi krijuar familjen tonë. Banesë kjo e cila as për së afërmi si plotëson kushtet bazike për një familje katër anëtarëshe.”, ankohej Osmani.
Statusi i Osmanit asokohe:
Statusi i Osmanit asokohe:
Demokracia.com gjatë ditës ka publikuar ka fotografi, ku shihet presidentja Vjosa Osmani, si një “inxhiniere”, por e shoqëruar nga disa bodigardë dhe një vajzë, afër vendpunimeve të lagjes së re “Marigona Hill”.
Një banesë, një shtëpi, dy banime në varg, njëra me 244 metra katrorë e tjetra më 218 metra katrorë, një Mercedes Benz, është pasuria e presidentes Vjosa Osmani dhe bashkëshortit të saj, Prindon Sadriut. Njërën nga to e ka në Marigona Hill.
Këto i ka deklaruar vetë Osmani në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit, derisa ka bërë deklarimin e pasurisë për vitin 2024.
Sipas asaj që ka deklaruar e para e vendit së bashku me burrin e saj, vlera e pasurisë së paluajtshme kap shumën e 970 mijë e 760 euro.
E para e vendit ka deklaruar një banesë me sipërfaqe prej 67 metra katrorë, të cilën e ka blerë në vitin 2011 me kursime dhe kredi, e cila e kap vlerën e 59 mijë e 760 euro.
Po atë vit, ajo ka deklaruar se me kursime dhe kredi ka blerë edhe një garazh kolektiv me sipërfaqe prej 14 metrash katrorë në vlerë 6 mijë euro.
Të dyja këto janë në pronësi të bashkëshortit.
Presidentja ka deklaruar edhe një shtëpi me sipërfaqe prej 150 metrash katrorë, të cilën, siç ka thënë ajo vetë, e ka ndërtuar në vitin 2004 me kursime dhe kredi.
Edhe kjo është në emër të bashkëshortit, ndërsa vlera e saj është 170 mijë euro.
Përveç shtëpisë dhe banesës, Osmani ka deklaruar se ka në pronësi me bashkëshortin edhe një tokë prej 5.10 ari. E blerë, sipas saj, me kursime dhe borxhe në vitin 2016. Vlera 35 mijë euro.
Pasuritë e presidentes nuk përfundojnë këtu.
Ajo ka deklaruar se ka edhe një banim më varg (apo vilë), me sipërfaqe prej 244 metrash katrorë, e blerë në vitin 2019 me kursime, borxhe dhe para nga shitja e banesës në Prishtinë.
Banim me varg, Osmani ka deklaruar edhe në emër të bashkëshortit. Me sipërfaqe prej 218 metrash katrorë, kap vlerën e gjysmë milioni eurosh, saktësisht 510 mijë euro.
Paratë për blerjen e kësaj vile, sipas Osmanit, janë marrë nga shitja e shtëpisë në Australi, e cila ishte në pronësi të bashkëshortit, shitjes së shtëpisë së prindërve të bashkëshortit, nga kursime dhe hua familjare.
Sa i përket pasurive të paluajtshme, presidentja ka deklaruar një veturë “Mercedes Benz”, në pronësi të bashkëshortit, e cila kap vlerën e 10 mijë euro.
Nga ana tjetër, para të gatshme e para e vendit ka deklaruar se i ka vetëm 1 mijë e 168 euro dhe 266.84 dollarë australianë. Derisa detyrime 105 mijë euro.
Të ardhurat vjetore të presidentes Odmani janë deklaruar 70 mijë e 335.6 euro, ku pagën nga Presidenca e ka deklaruar në shumë prej 33 mijë e 70 euro. Nga mëditjet për udhëtimet zyrtare jashtë vendit për vitin 2024, ajo ka thënë se i ka marrë 8 mijë e 92 euro.
Sa i përket bashkëshortit të saj, ajo ka deklaruar se ai i ka 17 mijë e 173 euro të hyra vjetore nga paga neto, kurse 12 mijë euro në vit, ajo ka deklaruar se i merr nga të hyrat e qirasë në Australi, të deklaruara në emër të bashkëshortit.