Në Gazimestan, një monument historik rreth 10 kilometra larg kryeqytetit të Kosovës Prishtinë, janë mbledhur disa qindra serbë nga Kosova, Serbia dhe vendet e rajonit për të shënuar festën e Vidovdanit më 28 qershor.

Kisha Ortodokse Serbe e ka shënuar këtë festë edhe në Gazimestan, me përkujtimore, si përkujtimin e vuajtjeve të serbëve në betejën kundër ushtrisë turke në Kosovë në vitin 1389.

Policia e Kosovës është duke u kujdesur për sigurinë e kësaj feste, ndërsa të pranishëm janë edhe pjesëtarë të KFOR-it italian.

Përkujtimi i Vidovdanit deri më tani po shkon pa incidente, por numri i vizitorëve është dukshëm më i ulët se në vitet e kaluara. Policia e Kosovës këtë vit nuk lejon sjelljen e flamujve apo të ndonjë simboli tjetër, përveç atyre kishtare, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në vitet e kaluara ka pasur edhe arrestime për “nxitje të urrejtjes fetare dhe kombëtare”.

Peshkopi i Rashkës-Prizrenit, Teodosije, ka thënë më herët se autoritetet e Kosovës ia kanë ndaluar kreut të Kishës Ortodokse Serbe, patriarkut Porfirije, të vijë në Kosovë në Vidovdan.

Vizita iu ndalua edhe drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, për shkak të “deklaratave provokuese dhe propagandistike kundër Kosovës”.

Vitin e kaluar, Vidovdani nuk u festua në Gazimestani – vendin ku festohet tradicionalisht – për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës.

Në vend të kësaj, më 27 qershor 2023, pjesëtarët e komunitetit serb shpallën “Deklaratën e Vidovdanit” në Graçanicë dhe në Mitrovicën e Veriut, e cila u mbështet nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Përmes deklaratës ata paralajmëruan përgjigje nëse vazhdojnë arrestimet e serbëve në Kosovë, të cilët ishin përfshirë në përleshje me pjesëtarë të KFOR-it, apo Policisë.

“Deklarata e Vidovdanit” u miratua si rezultat i tensioneve të shtuara, pasi Lista Serbe fillimisht u largua nga institucionet e Kosovës në veri në nëntor të vitit 2022 dhe më pas bëri thirrje për bojkot të zgjedhjeve të reja sipas ligjeve të Kosovës.

Kështu, në maj të vitit 2023, në katër komuna në veri të Kosovës – Mitrovica Veriore, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – erdhën në pushtet kryetarët shqiptarë, gjë që popullata shumicë serbe nuk e pranon.

Në fund të majit të vitit të kaluar pati përleshje mes serbëve dhe pjesëtarëve të KFOR-it, misionit ushtarak të NATO-s në Kosovë. Si pasojë, pati mbi njëqind të plagosur nga të dyja palët.

Tensionet kulmuan më 24 shtator në Banjskë në veri të Kosovës, kur një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau një oficer.

Gazimestani në Kosovë njihet edhe për fjalimin e ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i cili, më 28 qershor 1989, nuk i përjashtoi “betejat e armatosura”.

Ai fjalim i Millosheviqit u pa nga shumë njerëz si paralajmërim i luftërave që pasuan në vitet ‘90 në ish-Jugosllavi.

Në të njëjtën ditë në vitin 2001, Millosheviq u ekstradua në Tribunalin e Hagës, i cili e akuzoi atë për krime lufte. Ai vdiq në paraburgim në vitin 2006, para gjykimit përfundimtar.