Armët ilegale vazhdojnë të mbesin shqetësim për qytetarët dhe institucionet në Kosovë.
Llogaritet se mbi 230 mijë armë pa leje janë në duar të qytetarëve të Kosovës.
Shprehur ndryshe, çdo i shtati qytetar i Kosovës ka një armë pa leje.
Vetëm në tri vitet e fundit, Policia e Kosovës ka konfiskuar 3 mijë e 679 armë pa leje.
Kështu kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës për Demokracia.com.
“Referuar kerkeses suaj ju informojme se Policia e Kosovës përmes planeve të saja në vazhdimësi ka punuar për prandalimin dhe konfiskimin e armëve ilegale, si dhe ka bërë fushata dhe apele të ndryshme për mospërdorim të armëve të zjarrit.”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Sipas tyre, gjatë periudhës janar- korrik 2024, janë konfiskuar 814 armë të ndryshme. Gjatë vitit 2023, janë konfiskuar 1392 armë të ndryshme.
Gjatë vitit 2022 janë konfiskuar 1473 armë të ndryshme.
Për armëmbajtje pa leje, Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh gjoba deri në 7500 euro ose dënim me burgim deri në 10 vjet.
Posedimi i armëve në Republikën e Kosovës rregullohet me ligj, prandaj edhe bartja apo posedimi i tyre në mënyrë të kundërligjshme është e sanksionuar me ligj.
Ligji për armët në Kosovë parasheh përmbushjen e disa kushteve për t’u pajisur me armë.
Mes tyre janë: mosha 21-vjeçare, aftësia ligjore për veprim, aftësia psiko-fizike, të mos rrezikojë veten, sigurinë publike, si dhe të deklarojë arsyen e blerjes së armës.
Por, arma, përkundër lejes, mund të konfiskohet me vendim gjyqësor, nëse poseduesi humb aftësinë e veprimit, aftësinë psiko-fizike, dënohet për vepër penale ose shkel kushtet e përcaktuara.