Dje Policia e Kosovës realizoi një aksion policor në veri të Kosovës kundër objekteve të strukturave paralele të Serbisë. Një operacion i tillë policor u kritikua gjerësisht nga ndërkombëtarët si i pakoordinuar dhe që vë në rrezik ushtarët e KFOR-it. Pikërisht këta të fundit sot me mengjes janë parë në Urën e Ibrit.
Në fotografinë e siguruar nga Nacionale, një numër i konsiderueshëm i ushtarëve të KFOR-it janë vendosur mbi Urën e Ibrit, hapja e sëcilës është bërë temë politike që disa javë.
Në një video të publikuar nga mediumi Koha, shihen qartësisht ushtarët e KFOR-it mbi Urën e Ibrit, të cilët kanë bllokuar tashmë edhe lëvizjen mbi këtë urë. Në video shihen edhe disa autoblinda të KFOR-it, të cilat i përkasin “Carabanieri”-t të Italisë.
Kritikat e ndërkombëtarëve
Në lidhje me aksionin e Policisë së Kosovës në veri ka pasur shumë reagime. Më i ashpri ka qenë reagimi i ambasadës amerikane në Prishtinë. Në një deklaratë për media, ambasada është shprehur e zhgënjyer me veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri.
“Qeveria e SHBA-së përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës që vazhdojnë të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë”, është thënë në deklaratë.
ShBA ka përsëritur se bashkë me partnerët ndërkombëtarë në vazhdimësi i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës që ta ketë prioritet koordinimin me komunitetin ndërkombëtarë dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme.
“Dështimi i Qeverisë së Kosovës që t’u përgjigjet këtyre kërkesave, reflekton një përkeqësim real dhe në rritje në partneritetin tonë. Ashtu siç kemi theksuar më parë, veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës vendosin qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në një rrezik më të madh, eskalojnë panevojshëm tensionet rajonale, dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtarë.”, është thënë tutje në komunikatë.
Kësaj deklarate i ka dhënë mbështetej edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde. Përmes një shkrimi në rrjetin social “X”, ai ka thënë se “njoftimi nuk është konsultim”.
“Njoftimi nuk është konsultim. Gjermania i bashkohet Ambasadës Amerikane në shprehjen e shqetësimit dhe zhgënjimit mbi veprimet e pakoordinuara. Kjo duhet të ndryshojë. Ne duam t’i largojmë masat dhe të ecim përpara sa i përket integrimit rajonal dhe evropian të Kosovës. Mos të ketë më gjendje krize të panevojshme.” – ka shkruar ai.
Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves ka dënuar aksionin e djeshëm në veri.
“Veprimet që ndikojnë thelbësisht në mirëqenien e serbëve të Kosovës dhe të komuniteteve të tjera joshumicë kërkojnë konsultim të kujdesshëm me miqtë e palëkundur të Kosovës dhe partnerët e sigurisë, në kontekstin e dialogut më të gjerë. Veprimet e sotme në veri të Kosovës u kryen pa këtë dhe rrezikojnë të nxisin tensione dhe të prekin më të cenuarit.”, është shprehur diplomati britanik.
Kurse, ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka vlerësuar se veprimet e tilla nuk sjellin zgjidhje.
“Veprimet që kanë ndikim të dëmshëm dhe pjesëtarët e një komuniteti, në këtë rast pjesëtarët e komunitetit serb, nuk janë të mirëseardhura. Njëanshmëria nuk sjell zgjidhje të qëndrueshme.”, vlerësuar ai.
As BE-ja nuk ka qëndruar e heshtur ndaj këtyre veprimeve.
Përmes një reagim zyra e BE-së në Prishtinë ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk po i respekton këshillat e aleatëve.
“BE-ja vazhdimisht i ka bërë thirrje Kosovës që të shmangë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në sigurinë e njerëzve në terren. Fatkeqësisht thirrjet tona janë shpërfillur nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë Bashkimi Evropian.