Nesër përfundon afati për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore në KQZ për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Deri tash KQZ ka pranuar njoftim nga tri koalicione, një prej tyre ai mes AAK’së dhe Nismës, mirëpo ende është enigmë nëse do të ketë koalicion mes VV’së, Alternativës dhe Listës Guxo, që qe katër vjet bashkëqeverisin.

Deri sot janë deklaruar tri koalicione parazgjedhore, përfshirë edhe atë mes AAK’së, Nismës, Listës Konservatore dhe Forumit Intelektual E-30.

Këtë e konfirmoi për Gazetën Express zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi.

“Është duke vazhduar periudha për deklarimin e partive politike për formimin e koalicioneve për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Deri më tani KQZ ka pranuar deklarimin e 3 koalicioneve ndërmjet partive politike të regjistruara: 1. Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli, me emrin e koalicionit: PDU – BALLI KOMBIT; 2. Aleana për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, me emrin e koaliconit: AAK – ALEANCA PËR ARDHMËRINË E KOSOVËS, NISMA – NISMA SOCIALDEMOKRATE, LISTA KONSERVATORE, FORUMI INTELEKTUAL – E – 30; 3. Naša Inicijativa dhe Bošnjačka Stranka Kosova, me emrin e koalicionit: NAŠA BOŠNJAČKA KOALICIJA.”

Afati për t’i deklaruar koalicionet parazgjedhore është deri nesër në ora 16:00 , mirëpo deri tash nga VV nuk kanë treguar nëse do të bëjnë koalicion me Alternativën e Mimoza Kusari- Lilës dhe Listën Guxo të Donika Gërvallës e Faton Pecit.

Express e ka pyetur zëdhënësin e VV’së nëse do të bëjnë koalicion, mirëpo deri tash nuk ka kthyer përgjigje.

Në anën tjetër, Kusari- Lila para disa ditësh ka thënë për KosovaPress se janë të interesuar që të ketë koalicion zyrtar parazgjedhor me Vetëvendosjen.

Kusari-Lila, që është edhe shefe e Grupit Parlamentar të VV’së, thotë se ka pasur takim me kryeministrin Kurti, por ende s’kanë marrë përgjigje konkrete.

Ndërsa, anëtari i Kryesisë së partisë Guxo, Haxhi Avdyli, ka thënë se janë të gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin me Lëvizjen Vetëvendosje, mirëpo ditët në vijim do të definohet saktësisht se a do të ketë koalicion parazgjedhor apo përfshirje në listën e Lëvizjes Vetëvendosje.