Edona James, e cila u bë një fenomen gjatë edicionit të dytë të Big Brother VIP Kosova, ka ndarë së fundmi disa detaje interesante për edicionin e tretë të pritshëm të këtij programi të famshëm.

Në një intervistë për “Onima”, Edona zbuloi disa informacione të cilat kanë ngjallur shumë kuriozitet tek ndjekësit e reality show-it.

Sipas burimeve të saj të besueshme, Edona theksoi se dy konkurrentë tashmë janë 100 për qind të konfirmuar dhe kanë nënshkruar kontratën për të qenë pjesë e edicionit të tretë të Big Brother VIP Kosova. Këta dy emra janë ish-konkurrenti i programit të njohur “Përputhen,” Bashkim Sahiti, dhe influencuesja dhe prezantuesja Zojë Nushi.

Edona James në Big Brother VIP Kosova 2 (Foto: Edona James/Instagram)

Bashkim Sahiti, i cili u bë i njohur për pjesëmarrjen e tij në “Përputhen”, ka krijuar një përvojë të gjerë në botën e televizionit dhe është i njohur për karakterin e tij karizmatik. Ndërsa Zojë Nushi, një influencuese e njohur dhe prezantuese, ka një numër të madh ndjekësish në rrjetet sociale dhe është e njohur për intervistat ‘vox-pop’ që realizon nëpër vende të ndryshme të Kosovës.

Edona James, përndryshe vitin e kaluar ishte pa dyshim një prej banoreve më të përfolura dhe të suksesshme të edicionit të dytë.

Ajo arriti deri në finale ku u rendit e katërta, gjersa fitues u shpall ish-futbollisti dhe modeli nga Vitia, Lumbardh Salihu.

Edicioni i tretë i Big Brother VIP Kosova pritet të fillojë në tetor.