Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e ka cilësuar si projektin më të suksesshëm të kombit shqiptar në shekullin 20-të, ish-pjesëtari i UÇK-së, Skender Zhitia në përfundim të dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së të akuzuar për krime lufte.
“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është projekti ma i suksesshëm i kombit shqiptar në shekullin 20-të. UÇK-ja jo vetëm që ka organizuar luftë të drejt, por ka organizuar dhe udhëheqë luftë të domosdoshme për ekzistencën e popullit shqiptar në trevat e veta”, tha Zhitia.
“Me luftën e drejt ka arritur të bëjë aleat kryesor NATO-n. Populli shqiptar mburret me UÇK-në. Drejtuesit e UÇK-së janë një emblemë që do të rrezatojë gjithmonë edhe në historiografinë shqiptare”, shtoi.
Gjatë dëshmisë, Zhitia ka folur për librin e tij “Zona Operative e Llapit”, derisa ka theksuar se avokatë dhe prokurorë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë shkoqitur fjalë dhe fjali nga libri i tij, të cilat në opinion më pas kanë përcjellë mesazh të gabuar.
“E kam ribotuar librin në vitin 2023 pa ndryshime. Arsyeja e ribotimit është fakti që nga kjo dhomë, avokatë dhe prokurorë kanë shkoqitë fjalë nga tanësia e librit tim, të cilat në opinion e kanë përcjellë një mesazh të gabuar”, potencoi ai.
Tutje, Zhitia ka potencuar se është i saktë informacioni që e ka pasqyruar në libër, ku kishte treguar se pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, në Zonën Operative të Llapit kishte filluar ofensiva serbe dhe se Serbia kishte filluar me planin ‘Patkoi’ për dëbimin e shqiptarëve.
“Kishin për qëllim dëbimin e popullatës civile nga rajoni i Zonës Operative të Llapit, por është një operacion i bazuar në planin “Patkoi’ të Serbisë në atë kohë i cili filloi me fillimin e bombardimeve të NATO-s dhe ky operacion filloi nga zona Operative e Llapit”, nënvizoi ai.
Ndryshe, nga mbi 300 dëshmitarë në total, deri tani janë dëgjuar 79 prej tyre – shqiptarë, serbë, ekspertë ndërkombëtarë, ish-zyrtarë të misioneve, ish-komandantë e viktima të pretenduara të luftës – kryesisht në seanca të mbyllura për publikun, ndërsa sot do të ofrojë dëshminë dëshmitari i 80-të.