Menaxheri i regjistrimit të popullsisë në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), Ylli Shala ka thënë se rreth dy mijë qytetarë mund të gjobiten si shkak i refuzimit për t’u regjistruar.

Ai ka bërë të ditur se gjobat, sipas ligjit, varijojnë nga 50 deri në 2 mijë euro për persona fizik, ndërsa për subjekte ato shkojnë deri në 20 mijë euro.

Shala tha se ASK-ja është në procesin e verifikimit dhe u shpreh se personat jashtë vendit për arsye shëndetësore apo studimore nuk do të gjobiten.

Tutje, ai ka theksuar se procesin e regjistrimit, mbulueshmëria ka qenë deri në 98-99 për qind, derisa më sfidues e ka cilësuar veriun e vendit.

Për regjistrimin e diasporës, Shala tha se ky proces do të vazhdojë deri në fund të këtij muaji.

“Regjistrimi për diasporën është duke vazhduar. Afati i fundit është 31 gusht i këtij viti, për momentin e kemi shtyrë deri në këtë kohë sepse e kemi planifikuar që dikush nga mërgimtarët që nuk ka mundur të regjistrohet sa ka qenë atje, ta shfrytëzojë mundësinë dhe të regjistrohet këtu. Në disa prej qyteteve më të mëdha, apo në shtatë qendrat e Kosovës, kemi dërguar nga një person nëpër komuna, ku në momentin që ka shkuar dikush në komunë e ka parë edhe zyrtarin tonë edhe është regjistruar”.

“Nuk është shumë numri i madh që janë paraqitur për t’u regjistruar tash sepse shumica këtë proces e kanë kryer në formatin online që ka qenë jashtëzakonisht i lehtë edhe për 5 minuta deri 10 e ka kryer një ekonomi familjare pa kurrfarë problemi. Për momentin numri i të regjistruarve është mbi 500 mijë. Si statistikë pasi që të përfundojë ky proces, do t’i marrim të dhënat dhe do t’i shikojmë”, tha ai.

Shala u shpreh se qytetarët i janë përgjigjur pozitivisht procesit të regjistrimit dhe se konsiderojnë se mbulueshmëria ka qenë sipas rekomandimeve ndërkombëtare.

“Popullsia gjatë këtij procesi të regjistrimit ju ka përgjigjur pozitivisht, ne e konsiderojmë se mbulueshmërinë e kemi sipas rekomandimeve ndërkombëtare, ku në bazë të rekomandimeve është se nëse mbulueshmëria është mbi 95 për qind atëherë konsiderohet regjistrimi i suksesshëm. Ne e mendojmë se jemi diku rreth 98-99 për qind mbëlueshmëri të regjistrimit, që e konsiderojmë regjistrim mjaftë të suksesshëm edhe në kohë”, ka thënë ai.

Menaxheri i regjistrimit të popullsisë tha se gjatë këtij procesi ka pasur rreth dy mijë qytetarë që kanë refuzuar regjistrimin dhe se ASK është në proces të verifikimit për arsyet e refuzimit nga ta dhe pas këtij procesi do të filloj faza e gjobitjes.

“Gjatë këtij procesi kemi pasur edhe persona të cilët kanë refuzuar pjesëmarrjen e tyre ne regjistrim, e cila me ligj ka qenë e ndaluar, por sigurisht që ASK-ja do të ndërmarrë masa ndaj atyre personave. Janë diku rreth 2 mijë persona, por ne duhet ta shqyrtojmë arsyen pse nuk është regjistruar, në rastet kur një person e ka vizituar regjistruesin tri herë që e ka pasur obligim me shku tri herë dhe prapë e ka refuzuar edhe në të tretën herë, nuk është regjistruar dhe sigurisht që ai person edhe e meriton të gjobitet. Në rastet e tjera, ku te një person ka shkuar regjistruesi tri herë edhe nuk ka mundur ta regjistrojë atë person, ka qenë jashtë për çështje shëndetësore ose për çështje studentore jashtë vendit, apo diçka tjetër, atëherë ai është rast tjetër që nuk trajtohet si rast për gjobitje. Shifrat janë të parapara edhe me ligj, fillon prej 50 euro deri në 2 mijë euro për persona fizik, ndërsa për subjekte është deri në 20 mijë euro”, ka thënë ai.

Shala u shpreh se pjesëmarrja e komuniteteve ne pjesën jugore të Kosovës në këtë proces ka qenë jashtëzakonisht e mirë, por që janë sfiduar në komunat veriore pasi një numër i qytetarëve në atë pjesë nuk është regjistruar.

Ai tutje tha se të dhënat finale në të cilat janë duke punuar pritet që të bëhen publike nga mesi i dhjetorit të këtij viti me një raport me mbi 100 faqe.

“Ne si statistikë, ju kemi kushtuar kujdes shumë të veçantë të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Pjesëmarrja e tyre ka qenë jashtëzakonisht e mirë, sidomos në pjesën jugore të Kosovës, të gjitha komunitetet që jetojnë ju kanë përgjigjur pozitivisht thirrjes për regjistrimin e popullsisë. Kemi pasur disa sfida, probleme të vogla në komunat e veriut, për të cilat fillimisht kanë qenë problem regjistruesit deri sa i kemi siguruar disa herë regjistruesit”.

“Por, edhe atje e kemi regjistruar një numër të mjaftueshëm të komuniteteve. Zakonisht të gjitha komunitet e tjera janë regjistruar përpos komunitetit serb që ka hezituar.  Por, atje mund të them që ai është më shumë problem politik edhe ka qenë një frikë te qytetarët që mos t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit. Edhe pse disa prej tyre e kanë bërë dhe ne si staistikë do t’i bëjmë vlerësimet që janë me rekomandime ndërkombëtare. lejohet që të bëhet për një pjesë vlerësimi. Përafërsisht, numrin e popullsisë që jetojnë në atë pjesë ne veç e dimë në bazë të azhurnimeve që i bëjmë të rregullta, të zonave regjistruese. Në publikimin e të dhënave finale sigurisht se do të përfshihet edhe numri i asaj pjese”, ka thënë ai.