Një aksion i Njësisë së Antidrogës në Policinë në Prizren, i zhvilluar të enjten, rezultoi me arrestimin e një personi të dyshuar për shitje dhe shpërndarje të drogës dhe sekuestrimin e një sasie të marihuanës dhe kokainës. Sinjali raportoi mbrëmë ekskluzivisht për ndalimin e të dyshuarit, ndaj të cilit pritet të ushtrohet edhe kërkesa për paraburgim.

Siç mësoi Sinjali, i dyshuari është Ridvan Qoqaj, rreth 25-vjeçar po hetohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Qoqaj u kap pasi Antidroga ia bastisi shtëpinë në rrugën “Hysen Ramadani’, ku ai dyshohet se zhvillonte veprimtarinë e shitjes së narkotikëve.

Sinjali merr vesh se pas kontrollit, zyrtarët policorë kanë gjetur rreth 60 qese me sasi të ndryshme të marihuanës dhe kokainës, të përgatitura për shitje, që janë sekuestruar si dëshmi lidhur me rastin.

Ndryshe, ai është recidivist i shumë veprave penale si: Lëndime trupore, vjedhje, vjedhje te renda, grabitje etj.

Të riut i është konfiskuar edhe telefoni, rreth 700 euro para të gatshme, e po ashtu edhe peshore e pajisje tjera, si dhe disa plumba të një arme.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka iniciuar hetimin ndaj tij.

Lajmi është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Prizren.