Paneli i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), i njohur edhe si “Gjykata e tenderëve”, po përballet me ndryshime të rëndësishme. Vjosa Gradinaj-Mexhuani, kryetare e deritashme e Bordit të OSHP-së, ka dhënë dorëheqje për të vazhduar me detyrën e noteres në Ferizaj, shkruan Demokracia.com.
Gradinaj-Mexhuani u emërua notere më 15 korrik të këtij viti dhe, sipas Ligjit për Noterinë, ajo ishte e detyruar të jepte dorëheqje nga pozita e saj zyrtare brenda 30 ditësh nga emërimi. Sidoqoftë, Demokracia.com ka mësuar se ajo mund të jetë larguar pasi do të detyrohej të lëshonte pozitën e kryetares së OSHP-së dhe të bëhej anëtare e thjeshtë e Panelit, gjë që mund të ketë qenë e papranueshme për të. Kjo për shkak se në krye të OSHP-së pritej të emërohej Kimete Gashi, e cila tashmë e ka marrë këtë detyrë.
Në qershor të këtij viti, Gjykata Kushtetuese nxori një vendim lidhur me kërkesën e deputetëve të LDK-së për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e Kimete Gashit nga Bordi i OSHP-së. Sipas Kushtetueses, vendimi i Kuvendit ishte në kundërshtim me paragrafin 9 të nenit 65 dhe paragrafin 1 të nenit 142 të Kushtetutës. Shkarkimi i Gashit, i propozuar nga Qeveria e Kosovës për shkak të tenderit të Ministrisë së Shëndetësisë për insulina, u konsiderua antiligjor, përcjell Demokracia.com.
Gjykata Kushtetuese theksoi se as Qeveria dhe as Kuvendi nuk kanë dhënë arsyetim të mjaftueshëm për shkarkimin e Gashit, sidomos lidhur me cenimin e etikës profesionale, që ishte baza e propozimit për shkarkimin e saj. Përkundër rekomandimit të Komisionit për Buxhet që të mos miratohej shkarkimi, Kuvendi i Kosovës e realizoi atë. Ndërkohë, Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit kishin hedhur poshtë padinë dhe ankesën e Ministrisë së Shëndetësisë për anulimin e Vendimit të OSHP-së, që kishte kthyer në rivlerësim tenderin e insulinës.
Për shkarkimin e Gashit kishte reaguar edhe organizata e shoqërisë civile, Demokraci Plus (D+).
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) është një organ i pavarur administrativ përgjegjës për trajtimin e ankesave në prokurimin publik nga kompanitë e sektorit privat (Operatorët Ekonomikë). Kur një operator ekonomik parashtron një ankesë në lidhje me vendimet e autoritetit kontraktues, OSHP-ja ka mandat t’i shqyrtojë ato brenda afateve të përcaktuara me ligj. Pas shqyrtimit, OSHP-ja nxjerr një vendim me shkrim që është obligativ për të gjitha autoritetet kontraktuese, përfshirë ministritë, komunat dhe ndërmarrjet publike.
Nëse një palë nuk pajtohet me vendimin e OSHP-së, ajo mund t’i drejtohet gjykatës për rishqyrtim, por ekzekutimi i vendimeve të OSHP-së nuk shtyhet gjatë këtij procesi. Palët e pakënaqura gjithashtu kanë të drejtën të kërkojnë dëmin apo fitimin e humbur, siç parashikohet në Ligjin për Prokurimin Publik dhe Ligjin për Partneritetin Publiko-Privat.