Dikur emigrant me kushte të vështira, por me ëndrra të mëdha, e sot – shpresa e shqiptarëve për ndihma.

Ky është Halil Kastrati – njeriu human që arriti të krijojë një shoqatë përmes së cilës gëzoi mijëra familje shqiptare – ua ndali vuajtjet, lotët, dhimbjet dhe në sytë e tyre ktheu lumturinë.

Në një intervistë ekskluzive për Klankosova.tv, Kastrati u rrëfye për vështirësitë e tij deri në realizimin e ëndrrës së kahmotshme – themelimin e shoqatës “Jetimat e Ballkanit”.

Ai tregoi si emigroi në Evropë për shkak të kushteve të vështira ekonomike, kthimin në Kosovë e më pas edhe rrugëtimin e tij drejt asaj që zotëron – shoqatën që sot është derë e shpresës për qytetarët, disa prej të cilëve mbase nuk i besuan më as dritës në fund të tunelit.

Intervista e plotë:

Klankosova.tv: Kush ishte Halil Kastrati para se të jetë ky që është sot?

Halil Kastrati: Si çdo qytetar tjetër i zakonshëm i shtetit tonë, jam i lindur në Prizren dhe kam përfunduar shkollën fillore dhe të mesme në këtë qytet. Për shkak të kushteve të vështira, kam emigruar në Evropë për të mirëmbajtur familjen. Kam pasur ëndrra si çdo i ri tjetër, për të arritur diçka dhe për të bërë krenar familjen time. Jeta është e papritur dhe nganjëherë të drejton në destinacione që nuk i kishe menduar, por që ndodhin të jenë më të mira për ty. Në Evropë, kam marr një shembull konkret për të ndihmuar nevojtarët dhe kjo më ka frymëzuar të kthehem në Kosovë për të kontribuar në këtë drejtim.

Klankosova.tv: A të kujtohet rasti i parë kur ke bërë ndonjë bamirësi (para se ta themelosh shoqatën)?

Halil Kastrati: Edhe pse kushtet nuk ishin të favorshme për dhurata të mëdha, me mundësitë që kam pasur, më kujtohet një rast në komunën e Prizrenit. Rastësisht, e kam takuar në rrugë një të moshuar që kërkonte lëmoshë. Iu afrova dhe i dhurova diçka, pastaj fillova ta pyes për gjendjen e tij. Më interesonte të shkoja ta vizitoja nga afër, dhe kur shkuam atje, pashë se kushtet e tij ekonomike ishin shumë të vështira. Në shtëpinë e tij nuk kishte as bukë për të ngrënë, dhe kjo pamje më preku thellë. U ktheva në shtëpi, mora disa artikuj ushqimorë dhe veshmbathje, dhe u ktheva për ta ndihmuar atë familje.

Klankosova.tv: Si të lindi ideja pastaj për hapjen e një shoqate humanitare?

Halil Kastrati: Si shumë të rinj që për shkak të kushteve ekonomike zgjodhën emigrimin për të punuar dhe për të përmirësuar jetesën e tyre në Kosovë, edhe unë pata marrë atë vendim. Në Evropë kam parë disa kuzhina humanitare që ofronin ushqim për nevojtarët, dhe kjo më frymëzoi të mendoj se, nëse kthehem në Kosovë, një nga gjërat e para që do të bëja do të ishte hapja e një kuzhine humanitare. Kështu, në vitin 2009, u bë zyrtarisht themelimi i Shoqatës “Jetimat e Ballkanit” dhe i kuzhinës humanitare. Sot, Shoqata “Jetimat e Ballkanit” ka të hapura 5 kuzhina, dhe për çdo ditë ushqehen afërsisht 1000 persona.

Klankosova.tv: A e ke menduar që kjo shoqatë do ta ketë përkrahjen kaq të madhe të shqiptarëve si sot, kur e hape?

Halil Kastrati: Nuk e kam menduar kurrë se Shoqata do të arrinte deri në këtë pikë, duke pasur parasysh rrethanat e vështira në të cilat kemi qenë si shtet. Megjithatë, falë shqiptarëve dhe donacioneve të tyre, Shoqata jonë ka arritur të bëjë një punë të madhe në fushën sociale. Kjo ka ndihmuar në përmirësimin e kushteve të jetesës për shumë familje në nevojë dhe në përpjekjet për të reduktuar varfërinë.

Klankosova.tv: Cili ka qenë momenti më i vështirë gjatë gjithë rrugëtimit tënd si Halili i “Jetimave të Ballkanit”?

Halil Kastrati: Momenti ndoshta më i vështirë ka qenë të fitojmë besimin e popullit tonë, për të dëshmuar se donacionet e tyre shkojnë në vendin e duhur. Falë Zotit, këtë synim e kemi arritur me shumë mund dhe përkushtim, dhe sot e kësaj dite e ruajmë atë besim me shumë kujdes dhe angazhim.

Klankosova.tv: Cili rast të ka emocionuar më së shumti, atëherë kur mbase edhe lotët nuk ke mundur t’i ndalësh dot?

Halil Kastrati: Gjatë rrugëtimit në punën e Shoqatës sonë, kemi hasur në shumë familje që na kanë prekur thellë, dhe nuk kemi mundur t’i ndihmojmë pa u lotuar. Po e veçoj një rast të veçantë në qytetin e Skenderajt, ku gjetëm një familje katër anëtarëshe. Kryefamiljari ishte i moshuar, ndërsa gruaja e tij kishte 44 vjet që nuk shihte, dhe kishin dy fëmijë të vegjël. I patëm gjetur në një gjendje shumë të rëndë jetese. Ne i ndihmuam duke u blerë një banesë të re, dhe më pas e morëm gruan e verbër dhe e çuam në spital për trajtim të syve. Ajo iu nënshtrua një operacioni dhe pas pak ditësh më telefonoi dhe më tha: “Halil, po shoh! Edhe po shoh mirë, po shoh vajzën dhe djalin. O Zot, sa të bukur janë!”. Në atë moment, e lashë telefonin dhe qava me zë nga gëzimi që, përveç ndihmës me banimin, tani ajo po i shihte fëmijët e saj.

No photo description available.

Klankosova.tv: A je i lumtur me atë që ka arritur “Jetimat e Ballkanit” përgjatë viteve që ekziston?

Halil Kastrati: Jam shumë i lumtur për atë që ka arritur Shoqata jonë falë donatorëve shqiptarë, të cilët nuk janë ndalur kurrë me mbështetje dhe donacione. Ata na kanë mundësuar të realizojmë projekte të mëdha në shërbim të këtij vendi dhe popullit tonë, me qëllim përmirësimin e gjendjes ekonomiko-sociale. Lumturia ime më e madhe është që fryma ime e fundit të jetë e përkushtuar në këtë rrugëtim dhe në shërbim të popullit tim.

Klankosova.tv: Sa shtëpi keni ndërtuar përgjatë gjithë viteve, në tërësi sa familjeve i ka ndihmuar shoqata juaj?

Halil Kastrati: Shoqata jonë, që nga themelimi i saj e deri tani, i ka ndihmuar rreth 1 mijë e 600 familje duke u siguruar strehim, shtëpi dhe banesa të reja. Ndihma jonë ka përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi, Preshevën, Medvegjën, Bujanocin dhe Maqedoninë e Veriut.

Klankosova.tv: Ju keni hapur edhe shtëpi për të moshuarit, a keni plane për shtëpi të tilla edhe në qytete të tjera, dhe sa të moshuar jetojnë aty?

Halil Kastrati: Duke parë gjendjen e të moshuarve në terren, Shoqata jonë ka vendosur të ndihmojë me ndërtimin e një shtëpie rezidente për të moshuarit në fshatin Gjinoc, në komunën e Suharekës. Shtëpia  u hap në vitin 2020 dhe tani numëron 70 banorë rezidentë, duke ofruar kushte maksimalisht të mira. Një strukturë të tillë nuk gjendet në rajon dhe më gjerë. Shoqata jonë ka vazhduar me hapjen e shtëpive për të moshuarit, por këto janë qendra ditore dhe jo rezidente. Këto qendra janë hapur në Vushtrri, është në përfundim në Podujevë, dhe shumë shpejt do të fillojë edhe në qytetin e Gjilanit.

Klankosova.tv: Në fund, cili është mesazhi yt për shqiptarët kudo që janë e që fuqishëm ndihmojnë njerëzit në nevojë?

Halil Kastrati: Dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për secilin prej tyre që çdo kontribut, qoftë i madh apo i vogël, ka një ndikim të rëndësishëm dhe na ndihmon të vazhdojmë përpjekjet tona për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe për të ndihmuar ata që janë në nevojë. Dedikimi dhe zemërgjerësia tyre janë një frymëzim i madh për ne dhe për ata që përfitojnë nga ndihma tyre. Faleminderit shumë për gjithçka që bëni.

Bamirës, Zoti kurrë mos ju humbtë!

No photo description available.