Pronari i një lokali nate në Prishtinë, është arrestuar në Durrës nga Forca e Posaçme Operacionale për shkak se kërkohet nga autoritetet kosovare.

I arrestuari është biznesmeni 47-vjeçar, Dodë Rica, pronar i lokalit të striptizmit “Shqiponja”.

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar Ricës masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikim personash”.

Interpol Tirana po bashkëpunon me agjencitë ligjzbatuese në Kosovë, për të finalizuar ekstradimin e tij.

“I akuzuar në Kosovë, për trafikim personash, vihet në pranga në lagjen nr.13, me qëllim ekstradimin, 47-vjeçari, pronar i një lokali nate, në Prishtinë. Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, si dhe si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe të shkëmbyera ndërmjet Interpol Tiranës dhe agjencive ligjzbatuese në Kosovë, Forca e Posaçme Operacionale dhe Seksioni kundër Trafiqeve, të DVP Durrës, kapën në lagjen nr.13 dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin në Kosovë, shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar D. R., 47 vjeç, i lindur në Mirditë.

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikim personash”. Interpol Tirana po bashkëpunon me agjencitë ligjzbatuese në Kosovë, për të finalizuar ekstradimin e shtetasit D. R..”, njofton Policia e Shtetit.

Dodë Rica nuk është emër i panjohur për organet e rendit në Kosovë. Ai ka një histori të gjatë për veprimtarinë e tij që bie ndesh me ligjin.

Rica që nga viti 2019 ka qenë duke u hetuar Prokuroria Speciale, për kryerjen e veprën penale “shmangie nga tatimi”. Vetëm në vitin 2021 ndaj tij u ngritë aktakuzë.

Ai dyshohet se kreu shmangie tatimore në vlerë prej 36 mijë e 389 euro.

Biznesi i tij figuron edhe në të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve që vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Emri i Ricës, përmendet edhe në vitin 2018 teksa tentonte të hapte një strip klub poshtë bodrumit të Hotelit Grand në Prishtinë.

Megjithatë pas publikimit nëpër media për këtë aktivitet, Agjencia Kosovare e Privatizimit ia prishi planet.