Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimeve në Bruksel në një konferencë për media tregoi se takimi trepalësh nuk është realizuar sepse Qeveria e Kosovës ka kërkuar zbatimin e Marrëveshjes bazike e cila është dakorduar me 27 shkurt të vitit të kaluar dhe është pasuar nga aneksi i zbatimit që është pjesë integrale, nga 18 marsi i viti 2023.

Ashtu siç konfirmoi shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, sot në Bruksel nuk është mbajtur takim trepalësh, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë.

Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

E  një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë Kurti.

“Konsiderojmë se Marrëveshja bazike dhe aneksi i zbatimit janë një e arritur e dalluar në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, për marrëdhënie të mira fqinjësore, me fqinjin tonë verior, me njohjes së paku de-fakto në qendër, por është edhe arritje e Bashkimit Evropian që ka ndërmjetësuar raunde të tëra të këtij dialogu”, tha Kurti.

Duke folur për arsyet e dështimit të takimit bilateral Kurti tha se nga takimi i 14shtatorit ka ndodhur shumëçka.

Ai përmendi tri garancionet që i ka kërkuar në këtë takim.

“Hera e fundit kur kemi pasur takim ka qenë me 14 shtator, një ditë para sulmit terrorist. Ka ndodhur shumëçka prej atëherë, ka ndodhur Banjska ka ndodhur edhe letra e tërheqjes e marrëveshjes bazike. Siç e tha edhe vetë Borrell, unë kam kërkuar garancionin për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët mundësojnë zbatimin e marrëveshjes, dhe këto vijnë nëpërmjet tri garancioneve që kam theksuar”.

“E para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike, e dyta është tërheqja e letrës së Brnabiq sepse aty thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja e OKB-së dhe integriteti territorial dhe garancia e tretë që kam kërkuar është dorëzimi i kryekriminelit Milan Radoiçiqit autoriteteve të Kosovës. Ne nuk mund ta ngjallim rreshterin e vrarë Afrim Bunjakun por Serbia duhet të na dorëzojë Milan Radoiçiqin”, tha Kurti.

Ndërsa, Borrell pas takimeve me Kutin e Vuçiqin tha se Serbia nuk ishte e gatshme që plotësisht të pranojë kushtet e vendosura nga Kurti, përderisa “presidenti Vuçiq la të kuptohet se është i gatshëm të eksplorojë mundësi sa i përket letrës së ish-kryeministres dhe formalizimit të Marrëveshjes [në rrugën drejt normalizimit të raporteve], në linjë me praktikat e shkuara të dialogut, në mënyrë që të zhbllokohet zbatimi i marrëveshjes.

Gjatë takimeve të ndara midis Borrellit dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, me Kurtin dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sipas Borrellit, palët paraqitën qëndrimet e tyre se si procesi duhet të ecë përpara.