Mimoza Kusari-Lila, një nga figurat kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje, ka një histori të gjatë me organizatat joqeveritare në Kosovë. Me një karrierë të pasur në politikë, ajo gjithashtu ka qenë aktive në fushën e OJQ-ve, duke themeluar dhe bashkëthemeluar pesë organizata të ndryshme. Megjithatë, të dhënat tregojnë se Kusari-Lila është tërhequr nga këto organizata, duke ngritur pyetje mbi qëllimet e vërteta të themelimit të tyre. Ndërsa, disa prej këtyre organizatave nuk janë aktive, ky fenomen ngjall dyshime, shkruan Demokracia.com.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, duket se ka qenë një “meraklike” e madhe e Organizatave Joqeveritare. Sipas të dhënave zyrtare, ajo figuron si themeluese e pesë OJQ-ve. Në fakt, ajo është bashkëthemeluese në to dhe disa prej tyre nuk janë më aktive. Zyrtarisht, ajo i ka braktisur të gjitha, pasi bazuar në deklarimin e fundit të pasurisë së deputetes Kusari-Lila, ajo figuron si pronare e biznesit ‘MKL International’ SHPK, ndërsa bashkëshorti i saj është pronar i ‘Human L.L.C.’

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB) figuron lista me OJQ dhe aty shihet se ajo ka qenë themeluese në pesë prej tyre.

Shoqata e të Diplomuarve Kosovarë të Fondacionit Amerikan Ron Brown (SHDKFA-RonBroën) me përfaqësues Imer Berishën është themeluar në vitin 2002. Themelues të saj janë Mimoza Kusari, Imer Berisha dhe Jetish Jashari. Fusha e veprimtarisë së OJQ-së përfshin: Shoqëri për shoqërinë, rindërtim, mbrojtje të ambientit dhe kulturë.

RingIT është themeluar në vitin 2004, ku drejtor ekzekutiv figuron Arben Lila. Themeluese janë Teuta Mullademi, Arben Lila dhe Mimoza Kusari.

PMI – Kosova është themeluar në vitin 2005 dhe për drejtor ka Faton Aliun. Themelues janë Faton Aliu, Bekim Kasumi dhe Mimoza Kusari. Fusha e veprimtarisë së saj figuron si rindërtim.

Kosovo United States Alumni (KUSA) është themeluar në vitin 2007 dhe drejtor figuron Labinot Salihu. Themeluese figurojnë Violeta Hamidi, Mimoza Kusari-Lila, Valon Berani, Jetish Jashari, Mentor Agani dhe Teuta Sahatqija. Fushëveprimi i kësaj OJQ-je përfshin promovimin e shoqërisë civile. KUSA është mjaft aktive.

StayIn është themeluar në vitin 2022 me kryetar Armend Osajn. Edhe këtu themeluese është Kusari-Lila, bashkë me Albert Bicajn dhe Armend Osajn.

Në rastet kur një OJQ nuk është aktive ose nuk realizon qëllimet e saj, lind pyetja nëse fondet dhe burimet janë përdorur në mënyrë efektive apo vetëm për të përfituar financiarisht ose politikisht.