Vajzat dhe gratë janë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve seksuale, sulmeve seksuale e dhunimeve në Kosovë. Raste të tilla dhe mjaft të trishta po tronditin familjet e tyre, që kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje nga institucionet. Një rast i tillë është raportuar dje në Policinë Rajonale në Mitrovicë të Veriut, për çka Sinjali raportoi mbrëmë.
Këtë herë, viktimë është një vajzë e moshës rreth 27-vjeçare, me probleme mendore, e cila dyshohet se është sulmuar seksualisht.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi i dyshuar është Dalibor Sekulic, ndaj të cilit akoma s’dihet nëse është lëshuar urdhri për ndalim policor.
Rastin e ka raportuar nëna e vajzës, e cila ka dhënë detaje të tmerrshme – duke e zbuluar se personi i dyshuar është familjar i tyre.
Si rezultat i denoncimit, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar në drejtim të veprës penale ‘Sulmi seksual’.