Pranvera Munishi, redaktore në Radiotelevizionin e Kosovës, ka dalur me një qëndrim pas situatës së fundit me dorëheqje e ndikimet politike në këtë institucion.
Munishi ka kujtuar kohën kur vite më parë kishin protestuar për ta ruajtur pavarësinë e RTK-së, duke theksuar se edhe tash ka ardhur koha për të njëjtat veprime.
Më tutje, ajo ka thënë se kur RTK-ja kthehet në instrument të propagandës, atëherë vendi rrëshqet në autoritarizëm.
Postimi pa ndërhyrje:
Zhvillimet në Radio Tevevizionin e Kosovës, janë të frikshme, por të patolerueshme, për nje shtet që pretendon se është demokratik.
Kur ngulfatet media publike, shuhet zëri dhe interesi i publikut.
Ngjarjet e fundit që janë duke ndodhur në RTK po e çojnë median e vetme publike në Kosovë drejt shkatrrimit të plotë.
Për shkak të shumë zhvillimeve prej vitesh, RTK ka humbur deri diku kredibilitetin, por megjithate në këtë institucion ka profesionitë që nuk i janë nënshtruar asnjë ndikimi ose presioni politik as në të kaluaren, as sot.
Prandja, për hir të demokracisë RTK-në duhet ta mbrojmë të gjithë. Shkatërrimi i RTK-së ose shndërrimi i këtij mediumi publik në një instrument të propagandës politike i cilësdo parti politike që është në pushtet në Kosovë, janë tregues të padiskutueshëm që një shoqëri është duke rrëshqitur në autoritarizëm. Ka përplotë raste në vende të tjera që dëshmojnë së regjimet autoritare në procesin e vetëndërtimit të tyre janë përpjekur që së pari t’i vendosin nën kontroll politik mediet publike.
9 vjet më parë, ne si punetorë patem protesuar kundër ndërhyrjes nga pushtetet e kaluara në politiken editororiale.
Skenari për fatin e RTK-se po tingellon i frikshem, prandaj mendoj se ka ardhe koha që me të njëjtën formë ta mbrojmë transmetuesin publik.
RTK-ja është media e secilit qytetarë të Kosovës, sepse financohet nga tatimpaguesit kosovarë, dhe e tillë duhet të mbetet.
Pêr shkak të mënyrës se si është menaxhuar transmetuesi publik ndër vite, me të drejte ka frustruar qytetarët, por hipotetikisht nëse nuk ekziston RTK-ja, nuk do të ekzistojë as opinioni pluralist në shoqerinë tonë!
Ne që jemi rritur me RTK-në, që kemi shkrirë djersën tonë për ta zhvilluar dhe ruajtur atë, e kemi obligim ta ruajmë dhe ta mbrojmë shtëpinë tonë nga çfarëdo tendence që synon kapjen politike të saj.
Krejt në fund, këto zhvillime në RTK janë shqetësuese sidomos në këto kohë kur kanë mbetur edhe pak muaj nga zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë. Thirrjet për shuarjen e RTK-së që janë dëgjuar shpesh, kanë ardhur gjjthmonë nga militantët trushpërlarë të partive politike. Prandaj, mbrojtja e RTK-së nuk është vetëm çështje e brendshme e punonjësve të RTK-së, por është thirrje për elitat tona intelektuale e profesionale, nëse ka mbetur gjë nga to, por edhe për qytetarët, që të reagojnë fuqishëm në mbrojtje të RTK-së.