Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka dhënë detaje të reja në lidhje me vrasjen e rëndë që ka ndodhur të premten mbrëma në parkingun e një salle dasmash në Ferizaj.

Prokuroria njofton se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të dyshuarve F.R., dhe J.M., për rastin e vrasjes së rëndë në fshatin Bibaj të komunës së Ferizajt.

“Ekziston dyshimi i bazuar se më 16.08.2024, rreth orës 19:26, në hyrje të parkingut të sallës së dasmave “Fan Palace”, në rrugën “Engjëll Zefi”, në fshatin Bibaj, komuna Ferizaj, i pandehuri F.R., për motive të ulëta me dashje që ta privojnë nga jeta sapo vërejnë të ndjerin se hynë në parkingun e lartëcekur, të pandehurit secili me automjete të veta ndalën në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur në mjet të fortë (teshlicë) dhe është vërsulur në drejtim të ndjerit, kurse i pandehuri F.R., me armën zyrtare automatike shtënë disa herë në të ndjerin S.S., dhe me atë rast vënë në rrezik edhe personat tjerë të cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin, për pasojë i ndjeri ndërron jetë në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5 dhe 1.8 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, thuhet në njoftim.

Gjatë ditës u bë e ditur se lidhur me këtë rast është suspenduar nga detyra shefi i ndërrimit të policisë në Ferizaj.

Zëvendësdrejtori rajonal i Policisë në Ferizaj, Qazim Reka ka bërë të ditur për Gazetën Online Reporteri.net se shefi i ndërrimit është suspenduar.

Ndër të tjera u bë e ditur se, masa e suspendimit të shefit të ndërrimit nuk u bë nga Inspektorati Policor i Kosovës por nga Policia vet.

“Po mund të ju konfirmoj që kjo ka ndodhur. Është masë e cila është ndërmarrë nga policia, është masë preventive nuk është masë se zyrtari ka marrë pjesë në rast. E kemi vlerësuar se i njëjti nuk ka monitoruar policët që ka pasur dhe kjo është kështu.”- tha Reka për Reporteri.net. /Reporteri.net/