Presidenca e Kosovës ka mohuar se presidentja Vjosa Osmani dhe bashkëshorti i saj janë pjesë e ndonjë grupi të komunikimit në rrjete sociale.

Ndonëse në shkrimin e publikuar sot nga gazeta Nacionale shihen emrat e tyre në një grup komunikimi në “Facebook”, Presidenca e ka mohuar një gjë të tillë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetës Nacionale, Presidenca ka vlerësuar se grupi në fjalë mund të jetë i falsifikuar.

Pretendimet tuaja për përfshirje në një grup komunikimi të Facebookut, të Presidentes dhe Zotërisë së Parë, janë të pavërteta dhe tendencioze. Presidentja dhe Zotëria i Parë nuk përdorin asnjë grup komunikimi në asnjë rrjet social. Falsifikimet që mund të bëhen me qellim të qartë denigrimi dhe rrezikimi të jetës së Presidentes dhe familjes së saj të ngushtë, Presidentja do t’i kundërshtojë me çdo mjet ligjor dhe tashmë ka kërkuar nga institucionet e sigurisë që ta trajtojnë këtë me urgjencë”, është thënë në përgjigjen e Presidencës.

Në përgjigjet e saj, Presidenca nuk e ka thënë asnjë fjalë për dy vajzat e vogla, të cilat dyshohet se janë dhunuar seksualisht nga Sadri Sadriu, axha i Prindron Sadriu, i cili dje në Bibaj të Ferizajt është vrarë nga vëllai i dy motrave të dhunuara.

Gazeta Nacionale është e vetëdijshme për faktin se Presidentja e Zoteriu i Parë nuk kanë asnjë lidhje me çështjet që janë përfshirë në ‘pyetjet’ tuaja, por po vepron me qëllime të ulëta që rrezikojnë drejtpërdrejt sigurinë fizike të Presidentes, Zotërisë së Parë dhe dy vajzave të tyre. Tendenca për të ndërlidhur rastin e mbrëmshëm me Presidenten dhe familjen e saj të ngushtë e shndërron atë në një objektiv, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Kjo është një lojë e rrezikshme që nuk ka vend në gazetari. Siç e përmendem me lart, Presidentja është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet e sigurisë që ky plan i qartë për rrezikimin e jetës së saj e të familjes të trajtohet me prioritet”, ka vlerësuar Presidenca.