Zëvendësministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Imri Demelezi, ka kritikuar ashpër presidenten Vjosa Osmani për vizitën që ka zhvilluar dje në Komunën e Vitisë.

Demelezi, që për shef në ministri ka Faton Pecin, ka bërë me dije se shefja e shtetit nuk është dashur ta takonte kryetarin e kësaj komunës, Sokol Haliti.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se Haliti është një shpifës.

“Presidentja vizitoi kryetarin shpifës të Vitisë të vërtetuar nga gjykata! Para se të viziton të njërin nga zyrtarët e parë të Kosovës, kryetar komune i LDK-së, të vërtetuar si shpifës nga gjykata dhe nga të parët zyrtarë pjesë e luftës hibride kundër Qeverisë së Kosovës, dhe që përdorë edhe paratë publike për këto qëllime! Ky person ‘’shembull’’ i presidentes është vërtetë shembull por për të keq! Dhe sigurisht do të jetë; – kandidat për hetuesinë, kandidat për prokurorinë, kandidat për gjykatën dhe më në fund do të dihet se ku e ka vendin. Sepse po keqpëdorë besimin dhe paranë e qytetarëve tanë në Viti e të mërgatës”, ka shkruar ai.