Me publikimin e lajmit të Slobodna Bosnës në portalin e RTK-së dhe edicionin qendror të lajmeve, JANË SHKELUR STANDARDET PROFESIONALE.
Ky është konstatimi kryesor që e ka nxjerr komisioni i RTK-së lidhur me publikimin e lajmit ku Periskopi dhe Nacionale u akuzuan se janë media të financuara nga Serbia.
Gazeta Nacionale e ka siguruar raportin e Komisionit i cili është dorëzuar në zyrën e U.D Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së. Ajo që konstatohet në raport, është se artikulli i ka shkelur standardet profesionale të përcaktuara me legjislacionin e RTK-së.
“Pavarësisht nga kjo gjendje, në materialin/informacionin e publikuar/transmetuar në Portalin/Edicionin Qendror të Lajmeve, të datës 22 korrik 2024, nuk janë ndjekur parimet e raportimit objektiv dhe përcaktimet nga dokumenti i RTK-së, “Standartet Profesionale dhe Parimet Etike të Gazetarisë në programet e Radiotelevizionit të Kosovës”. Raportimi i thjeshtëzuar që saktësinë e informacionit e barasvlerëson me saktësinë në përkthim dhe që mjaftohet me atribuimin në burimin original të materialit të përkthyer, nuk përmbushë parimet e raportimit objektiv dhe përcaktimet nga “Standartet Profesionale dhe Parimet Etike të Gazetarisë në programet e Radiotelevizionit të Kosovës”. Në rastin e shqyrtuar nga ne nuk ka pasur përpjekje për të siguruar qëndrimin e palëve tjera”, thuhet në raportin e Komisionit të RTK-së të cilin e ka siguruar gazeta Nacionale.
Në raportin e Komisionit të RTK-së, konfirmohet se lajmi i parë i publikuar në portalin e RTK-së është ndryshuar. Pra, artikulli në fillim kishte emrat e Periskopit dhe Nacionales, e më pas emrat janë larguar.
“Versioni i artikullit i datës 22.07.2024, ora 15:00, përmban artikullin në fjalë të papublikuar (unpublished), i cili përmban tekstin në fjalë ku përmenden dy portale. Mirëpo, data dhe ora e publikimit të artikullit është 22.07.2024 – ora 14:43, që në gjykimin tonë, duke u bazuar në këto të dhëna i bie që artikulli është bërë unpublish ndërmjet orës 14:43 15:00.” (Nga raporti i TI-së, datë 29.07.2024)”, thuhet në raport.
Madje, fillimisht artikulli ishte publikuar, kishte qëndruar publik për 17 minuta, dhe më pas ishte larguar. Artikulli fillestar pra, akuzonte Nacionalen e Periskopin se financohen nga Serbia, duke cituar një lajm nga një portal fantom boshnjak.
“Bazuar në këtë raport të dërguar nga TI-ja, si dhe në bisedën që anëtarët e komisionit kanë pasur me udhëheqësin e TI-së në RTK, më 31.07.2024, në orën 11:00, është konstatuar se artikulli ka qenë publik nga një periudhë kohore prej 17 minutash (14:43 – 15:00), por nuk është arritur të konfirmohet saktësisht se gjatë kësaj periudhe prej 17 minutash, për sa kohë ka qenë i publikuar artikulli me emrat e portaleve, (20 sekonda, një minutë, apo 17 minuta)? Po ashtu, nuk është arritur që të konstatohet se nga kush është publikuar artikulli, meqë në sistem për publikim në ueb, sipas TI-së dhe redaktorëve të uebit, kanë qasje mbi 15 veta”, thuhet në raportin e Komisionit në përbërje nga: Mendu Hysa, Gjylie Rexha dhe Pajazit Krasniqi.
Komisioni gjithashtu ka konstatuar se “Screenshots” të nxjerra nga Salih Zyba në rrjete sociale, ku dëshmohet se janë përmendur emrat, kanë qenë faktike.
“Një hulumtim i detajuar i TI-së është bërë edhe për vërtetësinë autentike të “Screenshots” të cilat janë shpërndarë në rrjetin social “Facebook”. Raporti i TI-së konstaton se përmes veglave softuerike- forenzike të imazheve, është vërtetuar se screenshot-ët e publikuar në rrjetet sociale, janë autentike të faqes www.rtklive.com dhe janë bërë në pajisje mobile (smartphone). Për këtë qëllim ekipi i TI-së ka përdorur vegla softuerike që analizojnë imazhet deri në nivel të pixel-eve për saktësi të ngjyrave dhe pozicioneve të logove dhe grafikave të www.rtklive.com”, thuhet në raport.
Ndryshimi konfirmohet edhe me emrin e autorit. Fillimisht, raporti ka konstatuar se lajmi ishte publikuar me emër të RTKLive, e më pas me inicialet e një gazetari.
“Por, duhet theksuar se versioni fillestar, i cili përmban emrat e dy portaleve, i shpërndarë edhe në rrjetet sociale, nuk përmban autorësi të shkrimit, por vetëm RTKlive. Ndërsa, versioni i publikuar më vonë përmban edhe inicialet. Për të qenë më korrekt anëtarët e komisionit kanë biseduar me gazetarin inicialet e të cilit figurojnë në njërin version. Gjatë bisedës, ai ka deklaruar se e ka bërë përkthimin e artikullit, të cilin e ka lënë në sistem, si proces i punës së përditshme. Meqë në atë sistem kanë qasje më shumë se 15 punëtorë, ai thotë se as vet nuk mund ta dijë se nga kush është bërë publik në ueb artikulli në fjalë. Prandaj, ne propozojmë që të rishikohet dhe të rritet siguria e sistemit për publikim të shkrimeve në ueb, meqë aty kanë qasje më shumë se 15 persona. Në anën tjetër ky rast nxjerr në pah edhe domosdoshmërinë e funksionalizimit të njësisë “Fact checking”, në RTK”, thuhet në raportin e RTK-së.
Komisioni nuk ka propozuar asnjë masë, pasi kjo tashmë i takon U.D Drejtorit të Përgjithshëm dhe Bordit.
Në një tjetër dokument që e ka siguruar Nacionale, Komisioni ankohet se me vendimin për ta krijuar këtë komisioni dhe gjetjet e tyre, janë “karshillëk” i ligjit në fuqi.
“Ju shkruajmë si komision Ad-Hoc për shqyrtimin e lajmit të publikuar në www.rtklive.com me titull: “Sekreti i madh i BIA-s së Vuçiqit: Çfarë fshehu presidenti serb nga Scholz”; i transmetuar edhe në versionin e shkurtuar në Edicionin Qendror të lajmeve në RTK, më datë 22.07.2024, të emëruar nga ish u.d e Drejtoreshës së Përgjithshme, Zana Spahiu, me vendim nr. 1763/24, më datë: 25.07.2024, (pa vullnetin tonë). Megjithatë, që nga data 29.07.2024, kur nga znj. Spahiu na janë përcjell në adresat tona elektronike deklaratat e stafit, komunikimi i saj me ta, si dhe linku i artikullit të publikuar në portalin e RTK-së, ne kemi punuar intensivisht në rastin që na është ngarkuar. Pas punës intensive disaditore dhe konsultimit të bazës ligjore (Ligji nr. 04/L-046 për Radiotelevizionin e Kosovës), kemi gjetur se komisioni i themeluar dhe gjetjet tona mund të interpretohen edhe si “karshillëk” i ligjit në fuqi dhe interferim në punën Bordit”, thuhet në dokument.
“Ju rikujtojmë se Ligji nr. 04/L-046, është i qartë dhe i prerë. Edhe Statuti i RTK-së, edhe Standartet Profesionale dhe parimet Etike të Gazetarisë në Programet e RTK-së, janë të qarta. Ne jemi të habitur nga mosreagimi i juaj dhe ish u.d drejtoreshës së përgjithshme. Ne vlerësojmë se ideja për të krijuar komisionin Ad-Hoc, është shmangie nga përgjegjësitë që burojnë nga Ligji për RTK-në dhe mund të interpretohet edhe si amnisti për mosveprim”, thuhet më tutje.
RTK-ja ende nuk ka marrë asnjë masë ndaj askujt për lajmin skandaloz.