Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka reaguar ndaj anëtarit të Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, i cili ka sulmuar mediet gjatë një prononcimi sot për rastin e aktivistit të kësaj partie, Astrit Dehari.

Kurteshi ka akuzuar Klan Kosovën, Expressin dhe RTK-në: “për rol negative dhe dezinformues, sidomos me nxjerrjen e xhirimeve të paautorizuara. Në atë kohë RTK-ja mbulonte gjithë propagandën kundër Lëvizjes Vetëvendosje dhe arsyetonte arrestimet”.

“Kjo, është një deklaratë e papërgjegjshme dhe e rrezikshme e Kurteshit, që akuzon mediet në lidhje me rrethanat e vdekjes në burg të Deharit. Deklarata të tilla vënë në rrezik sigurinë e gazetarëve të këtyre dy medieve, dhe janë të papranueshme. Rasti Dehari ishte dhe mbetet me interes të lartë për publikun, dhe në atë kohë specifikat e atij rasti ishin ndarë në detaje nga vetë Lëvizja Vetëvendosje. Xhirimet e publikuara nga mediat kanë zbuluar rrethanat e ngjarjes në qendrën e paraburgimit ku pritej siguri e lartë, dhe ka kontribuar në informimin e publikut”, thuhet në komunikatën e AGK-së.