Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot do të bëjnë përpjekjen e radhës për të konstituar Kuvendin. Në ora 12:00 do të vazhdojë seanca konstituive e legjislaturës së nëntë, e cila është ndërprerë të martën.

Seanca konstituive ishte ndërprerë vetëm disa orë pas fillimit.

Kjo pasi raporti i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve nuk kishte marrë votat e nevojshme nga deputetët.

Kjo kishte bërë që kryesuesi i kësaj seancës, deputeti Avdni Dehari, ta dërgojë seancën në pauzë, duke thënë se për veprimet të mëtutjeshme do të kërkonte ndihmën e presidentes Osmani.

Kjo e fundit, dje ia ka kthyer letrën deputetit Dehari, ku i ka rekomanduar që seanca të thirret brenda 48 orëve ashtu siç e parasheh Rregullorja e Punës së Kuvendit.

Në letrën e shefes së shtetit është thënë se është në dorën e deputetëve që të ndodh konstituimi i legjislaturës së nëntë.

Rrjedhimisht, gjithashtu ju rikujtoj se fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë (48) orëve nga ndërprerja e saj. Andaj, ju ftoj që në përputhje me autorizimet tuaja si Kryesues i seancës konstituive të Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit, efektive që nga data 8 prill 2025, ta realizoni seancën konstituive në përputhje me parimet kushtetuese të përmendura më lart, Rregulloren e Kuvendit si dhe legjislacionin në fuqi.”, është thënë në letrën e presidentes Osmani.

As sot nuk dihet nëse VV-ja si fituese e zgjedhjeve i ka numrat për të konstituuar Kuvendit.

Madje, kjo parti ende nuk e ka bërë publik as kandidatin për kryetar të Kuvendit, i cili i takon sipas Kushtetueset së Kosovës.

Seanca konstituve e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës është bllokuar në piken e parë të agjendës.

Kjo pasi raporti i Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandateve nuk e ka marrë shumicën e votave.

Këtë raport e kanë votuar vetëm 52 deputetë.

PDK, LDK dhe AAK-ja kanë votuar kundër këtij raporti.

Raporti në fjalë nuk është votuar as nga disa deputetë të komuniteteve.

Pa u miratuar ky raport, Kuvendi nuk mund të kalojë në pikat tjera, që janë betimi i deputetëve dhe zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetareve të Kuvendit.

Palët nuk lëvizin nga pozicionet

Ndonëse kanë kaluar 48 orë nga ndërprerja e seancës konstituive, palët nuk kanë lëvizur nga pozicionet. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kanë vazhduar të ia kërkojnë kryeministrit dhe ministrave në detyrë dorëheqjen para se të betohet.

Këto parti kanë treguar se do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës, por nuk do të votojnë raportin e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Mandatave pa i deponuar dorëheqjen anëtarët e kabinetit qeveritar.

Këto parti nuk ia kanë pranuar Kurtit letrën që e ka dorëzuar në këtë komisioni, duke thënë se ajo nuk është dorëheqje.

Në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se nuk do të largohet nga zyra.

Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, ai ka thënë largimi i tij dhe ministrave nga zyra do të shkaktonte vakum institucional.

Krahas përmbushjes së mandatit të plotë që na bën rol kujdestar deri në formimin e qeverisë të re, unë në emër të kabinetit i jam drejtuar Kuvendit me letër që e kam njoftuar për statusin e qeverisë tonë pas datës më 23 mars dhe dorëheqjen time nga posti ekzekutiv veç se efektiv nga ajo datë. Më shumë se kaq nuk është e mundur të jepet dorëheqje, më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucionit, vakum institucional, dhe rrezikim i sigurisë kombëtare. Është kërkesë edhe insistim, e thënë së buti i pamatur, për të lënë shtëpinë pa zot shtëpie”, ka deklaruar Kurti.

Ky i fundit, ende nuk ka treguar nëse ka arritur marrëveshje koalicion me Nismëni Socialdemokrate. Një gjë të tillë nuk e kanë konfirmuar as zyrtarët e partisë së Fatmir Limajt.