Historiani Azdren Shala, në fillim të muajit mars në FRONTAL të T7 kishte përmendur edhe vrasjen e veprimtarit të LDK-së, Shaban Manajt. Siç kishte pretenduar Shala në emision, Shaban Manaj, ishte vrarë “për çështje morale”.

Kjo çështje kishte nxitur reagime në radhët e LDK-së. Kreu i Istogut, Ilir Ferati, e kishte cilksuar si shpifje dhe kishte bërë thirrje që institucionet e drejtësisë ta trajtojnë një deklaratë të tillë të Shalës.

Dhe një gjë e tillë ka ndodhur. Vetë Shala, në emisionin Pressing të T7 më 7 prill ka konfirmuar se është ftuar në Prokurori dhe është marrë në pyetje në cilësinë e dëshmitarit për deklaratën që ka dhënë.

Historiani kosovar ka thënë se Prokuroria është interesuar për burimin e informacionit.

“Unë e kam bërë një deklaratë për një vrasje politike të një zyrtari të LDK-së. Sot jam ftuar në Prokurori, e kam dhënë dëshminë time në cilësinë e dëshmitarit. Besoj që gjithçka është në rregull. E dhashë referencën se ku jam informuar dhe vazhdojmë tutje”, ka thënë Shala në Pressing.

“Unë e dhashë burimin e informacionit”, ka shtuar tutje ai.