Policia e Kosovës ka njoftuar se në dy ndalesa të ndryshme përbrenda 20 minutash në rrugën kryesore në Prizren, Remzi Ademaj, që shpie për në festivalin ‘Doku Fest’, ka arrestuar pesë persona dhe ka kapur substanca narkotike të ndryshme gjatë kontrolleve në dy vetura. Arrestimet kanë ndodhur në orët e para të së shtunës.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë PK’ja me anë të raportit ditor, ku në veturën e parë thuhet se janë kapur substanca narkotike si në vijim: .6 gr.-marihuanë, 10-tableta ekstazi-4.17 gramë, 0.46 gr.- kokainë.
“Rr. Remzi Ademaj, Prizren / 10.08.2024-01:05. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar pasi janë ndaluar me veturën me të cilën po udhëtonin, dhe gjatë kontrollit në veturë u janë gjetur dhe konfiskuar substanca të dyshuara narkotike si në vijim: 9.6 gr.-marihuanë, 10-tableta ekstazi-4.17 gramë, 0.46 gr.- kokainë, tri pako rizlla, 2-telefona dhe 250 €. Pastaj, në konsultim me prokurorin, gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarve janë gjetur e konfiskuar edhe 10.2 gramë-marihuanë, 1-peshore digjitale, 2-grinder për bluarje, 1-thikë dhe 2-paketime qese plastike për narkotik-të zbrazura. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të dyshuarve, njëri është dërguar në mbajtje ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt”, njofton PK’ja.
Ndërkaq, në veturën e dytë janë gjetur substancat narkotike si në vijim: 39 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe 5-tableta narkotikë të llojit ekstazi-2.18 gramë.
“Rr. Remzi Ademaj, Prizren / 10.08.2024-01:25. Janë arrestuar tre të dyshuar kosovar (dy meshkuj dhe një femër), pasi janë ndaluar me veturën me të cilën po udhëtonin, dhe gjatë kontrollit në veturë u janë gjetur dhe konfiskuar 7.39 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, 5-tableta narkotikë të llojit ekstazi-2.18 gramë, një grinder për bluarje në të cilën kishte edhe 0.31 gramë marihuanë, një pako rizlla, dhe dy telefona mobil. Të dyshuarit, pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, njofton PK’ja.