Ka vdekur në Qendrën Klinike dhe Universitare, grabitësi i cili u plagos paraditen e 17 marsit në Veternik.

Millosh Vukojeviq, nuk arriti t’ju bëjë ballë plagëve.

Lajmin për Klankosova.tv e ka konfirmuar shefi i Intensivës Shaqir Uka.

“Po, është e vërtetë, pacientit që ju i referoheni nuk ka arritur t’ju bëjë ballë plagëve dhe para pak çastesh ka vdekur”, tha Uka për Klankosova.tv

Të hënën e 17 marsit, ndodhi një tentim-grabitje e armatosur në hapësirat e jashtme të Qendres Tregtare “Albi Mall” në Veternik.

Cak ishte automjeti i një kompanie të sigurimit i cili bartte para.

Dy persona mbetën të plagosur, nga shkëmbimi i zjarrit mes punëtorëve të sigurimit dhe grupit të grabitësve, nga një në secilën palë.

Derisa sot, mjekët treguan për gjendjen shëndetësore edhe të punëtorit të plagosur në këtë tentim-grabitje.

Xhavit Gashi, drejtor i Ortopedisë në QKUK, ka thënë për Klan Kosovën se ka gjasa që punëtori i sigurimit të mbetet i palëvizshëm.

“Dje kanë qenë kolegët nga reparti ynë dhe e kanë vizituar, në momentin që është bërë zgjimi nga anestezioni, në testimin preliminar nuk ka pasë lëvizje”.

“Sipas njohurive, sërish është dashtë të bëhet intubimi i pacientit pasi gjendja nuk ka qenë stabile. Nga ajo që kemi vërejtur ka plagë, të cilat e kanë dëmtuar në masë shumë të madhe boshtin kurrizor në pjesën e shpinës. Sipas të gjitha gjasave ka mbetur i palëvizshëm”, ka thënë Gashi.